EKSKLUZIVE
Zërina Shatri: Shkojmë në Pejë si kampione
3 December, 2016 @8:47
Njëra ndër basketbollistet më të dalluara të Prishtinës, Zërina Shatri, beson se ekipi i saj ka përparësi para duelit të nesërm me Penzën.
Ajo mendon se fakti që bardhekaltërat janë kampione aktuale të basketbollit të femrave është përparësi në derbi si kjo.
“Jemi munduar të përgatitemi psikikisht për këtë ndeshje, edhepse një gjë e tillë është vështirë të bëhet, pasi që realisht deri më tani kemi luajtur ndeshje ndaj ekipeve të dobëta dhe kemi menduar se për derbi ka kohë,” ka thënë fillimisht Shatri në bisedë ekskluzive me Borozani.com.
“Sidoqoftë, unë prapë besoj në ekipin tonë pasi që udhëtojmë në Pejë si kampione, që është përparësi për ne. Ne kampionet shkojmë për fitore dhe të udhëhequra prej Arbnores bashkë si ekip do t’ia dalim, duke pasur parasysh edhe mbrojtjen e fortë që aplikojmë,” ka thënë më tej Shatri.
Derbi Penza - Prishtina zhvillohet nesër mbrëma në Pejë me fillim nga ora 20. Penza dhe Prishtina kanë bilanc të njejtë fitoresh para kësaj ndeshjeje dhe asnjëra ende nuk ka pësuar.