BALKAN LEAGUE

BOROZANI/Edrin Shkuliqi
Zyrtarizohet Prishtina
22 April, 2013 @19:40
Tashmë edhe vetë Liga Ballkanike e basketbollit ka zyrtarizuar Sigal Prishtinën si ekip i shtuar në këtë ligë. BIBL (Balkan International Basketball League) në mes tjerash në artikull ka cekur se janë marrë vendime të mëdha në mbledhjen e Bordit të Ligës, ku si pikë e rendit të ditës ceket edhe pranimi i ish kampionit të shumëfishtë të Kosovës në basketboll, Sigal Prishtinës.
“Sigal Prishtina do të jetë anëtare e re e Eurohold Balkan League. Skuadra nga Kosova është pranuar në garë pas miratimit nga FIBA, FIBA Europa dhe të gjitha anëtaret e saja. E vetmja federatë që nuk ka dhënë përgjigje deri më tani është ajo e Serbisë,” thuhet në kumtesën e lëshuar nga BIBL.
Sa i përket rregullave të tjera, liga pritet që në stinorin tjetër t’i lejojë skuadrat që të kenë në dispozicion pesë lojtarë joeuropian, por vetëm tre nga ata mund të jenë në lojë në të njejtën kohë.
Pastaj së paku një lojtar vendor duhet të jetë në fushë, ndërsa lojtari tjetër duhet të jetë vendor ose europian.
Gjithashtu, aty janë marrë edhe disa vendime tjera lidhur me krijimin e grupeve dhe ekipet që do të luajnë në Play-Off, ku është njoftuar se vitin tjetër garës i kthehen edhe ekipet nga Rumania, me një ose dy ekipe.
Ndërsa sa i përket sistemit të garave aty thuhet se nëse liga do të mbetet me dhjetë skuadra, do të bëhen dy grupe me nga pesë ekipe dhe pastaj dalin në TOP 6. Kurse, në rast se liga përbëhet nga 12 ekipe atëherë krijohen dy grupe nga gjashtë ekipe, e pas asaj kalohet në TOP 8.