PAVIC
50 me 50
12 October, 2015 @19:32
Trajneri kroat i Pejës, Branimir Pavic, i ka thënë faqes zyrtare të FBK-së se gjasat për fitore në përballjen e parë të BIBL për stinorin e ri të saj ndaj Bashkimit janë 50 me 50!
Përkundër fitores në Superligë, Pavic ka parë gabimet e ekipit dhe ka kërkuar kujdes për ndeshjen e nesërme.
“Për ne çdo ndeshje është e rëndësishme, pa marr parasysh a bëhet fjalë për Ligën Ballkanike apo për garat vendore. E vërtetë është se kemi shënuar fitore ndaj Bashkimit para disa ditëve, por nuk ka qenë lehtë, sepse e kemi nisur mirë takimin, më pas kur është dashur që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, ne kemi çaluar dhe kështu rezultati në fund nuk ka qenë ai i prituri për ne, edhe pse shënuam fitore. Për këtë arsye them se gjasat për triumf në ndeshjen e nesërme janë 50-50. Por ne na mbetet të tregojmë forcën tonë reale dhe të japim maksimumin për të dal kokëlartë nga ajo palestër, edhe pse nuk do të jetë aspak lehtë,” ka thënë kroati, që ende nuk ka përjetuar humbje me ekipin e tij këtë stinor.
Peja është skuadra e vetme kosovare që ende nuk ka përjetuar humbje këtë stinor - në të gjitha garat.
Peja këtë stinor synon më shumë se gjysmëfinalja e BIBL, ndërsa Bashkimin e mposhti në xhiron e dytë të Superligës pikërisht në Sezai Surroi.