LEONIT ABAZI

Abazi: Nesër ndaj Feronikelit, ndeshja më e vështirë deri më tani
12 March, 2021 @19:54
Skuadra e Prishtinës e cila po kalon në formë të mirë, nesër do ta ketë një ndeshje të vështirë përballë Feronikelit.
Kjo ndeshje ka rëndësi edhe më të madhe për kryeqytetasit, pasi që dy rivalët e tjerë që janë në luftë për titull, Ballkani dhe Drita, do të ndeshen mes veti një ditë më pas.
Njëri prej lojtarëve më të mirë të Prishtinës, Leonit Abazi, ndeshjen ndaj Feronikelit e ka cilësuar si ndeshja më e vështirë deri më tani. Ai në prononcimin e tij për faqen e klubit prishtinas, dha merita bashkëlojtarëve të tij për formën e lartë që po e gëzon momentalisht.
“Përballja e nesërme me Feronikelin mbase do të jetë ndeshja më e vështirë deri tani, sepse janë ekip i fortë me shumë kualitete. Por, pa asnjë dyshim pres fitoren e radhës që të vazhdojmë me këtë ritëm. E vërtetë që po gëzojë formë të lartë për çka mendoj se është meritë e gjithë bashkëlojtarve dhe shpresoj të vazhdojë sa më gjatë të jap më të mirën për ekipin”, tha Abazi për faqen e bardhekaltërve.
Ndeshja mes Feronikelit dhe Prishtinës luhet të shtunën në ora 13:00 në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Para kësaj ndeshjeje, Prishtina në pozitën e tretë me 50 pikë, ndërsa Feronikeli renditet në pozitën e gjashtë me 28 pikë.