PAS NDESHJES
Afro 2 mijë euro dënime dhe suspendim fushe për Yllin
19 February, 2019 @21:54
Pas incidentit në ndeshjen Ylli - Prishtina, ndërprerjes dhe vazhdimit të lojës një ditë më vonë, FBK ka shqiptuar sot dënimet për ekipin suharekas nga kjo ndeshje.
Kështu, sipas Informatorit Nr 19 të Superligës për këtë ndeshje janë marrë këto vendime: Organizimi i dobët i ndeshjes (150 euro), hudhje e gjësendeve të forta (300 euro), mungesa e zërimit (100 euro), gabimi teknik i trajnerit (150 euro), ndërprerja e ndeshjes (1000 euro + suspendim fushe) si dhe shpenzimet e mysafirëve dhe personave zyrtarë të ndeshjes për udhëtimin e dytë (vazhdimin e ndeshjes).
Kështu, Ylli përballjen ndaj Boreas do ta zhvillojë pa prezencë të shikuesve.
Ekipi suharekas është duke kërkuar që të përfundojë stinorin e rregullt në pozitë të dytë, ashtu që të sigurojë gjysmëfinalen e PlayOffit direkt. Ndërkaq në çerekfinale të Kupës takohet me Feronikelin për të kërkuar rrugë për Final Four.
Palestra e Yllit 13 qershori në Suharekë ka qenë më e vizituara në fundjavën basketbollistike, me mbi 1 mijë e 300 shikues të regjistruar në protokol të ndeshjes nga FBK-ja.