Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

NGA KONFERENCA E FRANCO FODËS

Agresivitet dhe shpejtësi

Foto: FFK

Agresivitet dhe shpejtësi


14 November, 2024 @21:35

Përballja më e rëndësishme e Kosovës në kuadër të këtij cikli të Ligës së Kombeve është nesër mbrëma. Dardanët janë mysafir të Rumanisë së pamposhtur në “Arena Nationala” të Bukureshtit, ndërsa fitorja u duhet patjetër, pasi që ndeshjen e parë e pësuan në “Fadil Vokrri” dhe atë thellë, 0-3!

Sidoqoftë, në konferencën për shtyp një ditë para ndeshjes, trajneri gjerman i Kosovës Franco Foda ka thënë se ekipi duhet të qëndrojë i bashkuar dhe të luajnë të gjithë mbrojtje e sulm, për të kërkuar rezultat. Gjermani gjithashtu ka theksuar se janë 90 minuta për tu fituar ndeshja.

“Përkundër faktit që kemi pësuar humbje 3:0 në Prishtinë, besoj se me paraqitjen që kemi treguar kemi qenë të përafërt, por kemi pësuar gola të lehtë dhe kjo ka ndikuar në atë rezultat. Sa i përket paraqitjes nuk them se kemi pasur shumë dallim nga kundërshtari. Pastaj, i kemi fituar nëntë pikë ndaj Qipros dhe Lituanisë dhe kjo ka rritur besimin e ekipit. Kemi treguar se kemi bërë një hap përpara. Kemi shumë mungesa të rëndësishme ndaj një kundërshtari shumë të fortë. Besoj se ekipi është më lart se sa ka qenë në shtator dhe besoj e është i gatshëm ta tregojë gjithë potencialin në kërkim të fitores.  Është e qartë se ne jemi këtu për të tentuar fitoren. Duhet të jemi agresiv, ta fitojmë topin sa më shpejt. Do të kemi 90 minuta kohë për ta fituar ndeshjen. Gjithçka është në duart tona. Nëse duam vendin e parë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje”, ka thënë Foda.

ORARI, REZULTATET & TABELA

Kosova ka të siguruar vendin e dytë në Grupin 2 të Ligës C të Kombeve. Po lufton për vendin e parë, por e ka tepër të vështirë. Kjo, pasi që duhet të fitojë minimalisht me tre gola dallim Rumaninë për të neutralizuar duelet e ndërmjetme dhe për të shpresuar në lidership.

“Arena Nationala” pritet të jetë e plotë nesër, ndërsa Kosova do të luajë në një atmosferë jo fortë miqësore në Bukuresht, derisa djelmoshat dardanë do të tentojnë të pamundurën për të arritur suksesin. Si vend i dytë, Kosova ka të garantuar playoffin për Ligën B.


 
Të gjitha lajmet nga Liga e Kombeve