KOSOVA NË BUKURESHT
Foda: Për të pasur sukses, duhet të jemi të bashkuar
14 November, 2024 @21:25
Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar stërvitjen e saj në stadiumin “Arena National” në Bukuresht, ku nesër mbrëma do të përballet me Rumaninë, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të këtij edicioni të Ligës së Kombeve. Atmosfera tek Dardanët është shumë e mirë dhe të gjithë lojtarët janë të përqendruar dhe të motivuar për këtë sfidë kyçe.
Para stërvitjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda dhe mesfushori Elvis Rexhbeçaj, dolën në konferencë për media. Foda shprehu besimin e tij për një paraqitje të fuqishme të ekipit dhe theksoi rëndësinë e respektit në fushën e lojës. Ai rikujtoi se Kosova ka udhëtuar në Rumani me qëllimin e vetëm për të fituar këtë ndeshje, të cilën e cilësoi si “finale” për ekipin e tij.
Pavarësisht se ndeshjen e parë në Prishtinë Rumania e fitoi me rezultat 3:0, Foda beson se Kosova është e gatshme të luftojë për fitore dhe të tregojë rritjen që ka arritur kohët e fundit.
Ai tutje tha se ashtu sikurse secila skuadër, edhe Rumania ka pikat e saj të dobëta, por ka edhe pika shumë të forta. Foda tha se do të ketë ndryshime nga ndeshja e parë në shtator, qoftë taktike apo edhe në qasje të lojës.
Duke komentuar një deklaratë të homologut të tij te Rumania për Edon Zhegrovën, Foda vlerësoi formën e lojtarit, i cili po tregon cilësi të shkëlqyeshme me skuadrën e tij te Lille, por theksoi se për të pasur sukses kundër Rumanisë, Kosova duhet të veprojë si një skuadër e bashkuar në mbrojtje dhe në sulm.
Kosova në pesë ditët e ardhshme përfundon rrugëtimin në edicionin e tretë të Ligës së Kombeve. Dardanët kanë mundësi të fitojnë grupin dhe të kalojnë në Ligën B të Kombeve, ose të presin mundësinë përmes playoffit, që ua siguron vendi i dytë. Vendi i tretë dhe i katërt - nuk është as opsion teorik më për Kosovën.
Të premten më 15 nëntor Kosova është mysafire e lideres, Rumania. Ndeshja nis prej orës 20:45. Më 18 nëntor, cikli i rregullit i Ligës së Kombeve mbyllet në “Fadil Vokrri” kur Kosova pret Lituaninë.