BKT SUPERLIGA
BOROZANI/ Lis Dorambari
Ajka kosovare në Gjermani!
10 January, 2013 @18:52
Drejtuesit e klubeve nga Gjermania i kanë kthyer sytë kah tregu kosovar. Por interesimi i tyre nuk është për basketbollistët kosovar, por për basketbollistët e huaj që luajnë në Kosovë.
Tre basketbollistë që luajtën në stinorin vjeshtor në skuadrat kosovare, tani janë angazhuar në skuadra të ndryshme gjermane nga liga e dytë e këtij shteti, që vlerësohet si njëra prej ligave më të forta të kategorisë së dytë në Europë.
Rrugën drejt Gjermanisë e filloi alo qendra e Sigal Prishtinës, Adam Waleskowski, i cili u transferua në skuadrën Duesseldorf Baskets, ndërsa më pas edhe Dustin Mitchell i Sigkos Bashkimit i’u bashkua skuadrës Gotha.
Sikurse drejtuesit e Prishtinës, ashtu edhe ata të Bashkimit, ishin të interesuar për t’i mbajtur në skuadër basketbollistët në fjalë, por ofertat e mira nga Gjermania e pamundësuan qëndrimin e tyre në Kosovë edhe për stinorin pranverorë.
Ndërsa së fundi në një skuadër të ligës së dytë gjermane u transferua edhe një basketbollistë që luajti në Kosovë. Ish plejmekeri i Trepçës, Jerome LaGrange, është basketbollisti i ri i skuadrës, Crailsheim. Ai ishte larguar nga Trepça pak para përfundimit të stinorit vjeshtor, pasi që nuk i plotësonte kërkesat e klubit mitrovicas.
Ku janë të tjerët?
Përveç Waleskowskit, Mitchellit dhe LaGrange-it, edhe disa nga basketbollistët e tjerë që luajtën së fundi në Kosovë kanë gjetur angazhim në skuadra të ndryshme.
Skuadra më e njohur për basketbollin kosovar është ajo nga Kroacia, Djuro Djakovic. Ekipi që drejtohet nga ish trajneri i Trepçës, Neven Plantak, është përforcuar me qendrën e Pejës, Zoran Pehar, derisa pjesë e ekipit është edhe qendra Milan Kolovrat, i cili ishte provuar një kohë të shkurtër te Trepça.
Dy ish basketbollistët e Sigkos Bashkimit, Phil Brooks dhe Jermont Horton, karrierën e tyre do ta vazhdojnë në Kolumbi, përkatësisht Rumani, ndërsa ish plejmekeri i Trepçës, Vincent Simpson, tani po luan në Hungari.