Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

VENDIMI I FIBA-s

Anulohet evropiani! Dushku: Zhgënjyese, por e pritur

Anulohet evropiani! Dushku: Zhgënjyese, por e pritur


Teksti: FBK

8 April, 2020 @14:45

Bordi i FIBA Evropës ka marrë vendim që të anulojë 16 Kampionatet Evropiane të gjeneratave të reja që ishin planifikuar të mbahen në korrik dhe gusht të këtij viti, duke përfshirë këtu edhe FIBA U16 Kampionatin Evropian, Divizioni C që ka qenë në program për datat 11-19 korrik 2020 në Prishtinë.

Një vendim të tillë Bordi i FIBA Evropës ka qenë i detyruar ta marrë për shkak të situatës së krijuar me pandeminë COVID-19 në të gjithë botën.

“Duke marr parasysh situatën kritike dhe të jashtëzakonshme në të gjithë Evropën që rezulton nga pandemia dhe për të mbrojtur shëndetin dhe sigurinë e lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve dhe tifozëve, Bordi i FIBA Evropës ka vendosur që për shkak të vëllimit të madh të eventeve, të anuloj të gjitha 16 FIBA Kampionatet Evropiane të kësaj vere, si dhe Kampin në Postojna të Sllovenisë”, thuhet në njoftimin e FIBA Evropës.

Në anën tjetër Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së Elvira Dushku për faqen zyrtare të Federatës ka thënë se vendimi është zhgënjyes edhe pse ka qenë vendim i pritur pas ngjarjeve në botë në kohë të pandemisë.

“Ka qenë një vendim i pritur, pavarësisht që është zhgënjyes. Megjithatë, shëndeti dhe mirëqenia e lojtarëve, trajnerëve, zyrtarëve e tifozëve, është gjithmonë prioritet. Ndërkaq sa i përket Përfaqësueseve të Reja të Kosovës të cilat ne kishim planifikuar t’i dërgojmë në këtë verë në FIBA Kampionate Evropiane, unë shpresoj se ne do të mund të bëjmë diçka për këto gjenerata gjatë këtij viti. Do të analizojmë këtë situatë të re të krijuar, së bashku me Bordin e FBK-së, Drejtorin e Përfaqësueseve të Kosovës dhe Këshillin Profesional dhe më pas do të shohim se çfarë do të mund të bëjmë. Krahas pjesëmarrjes në FIBA Kampionate Evropiane, Federata e Basketbollit e Kosovës ka qenë edhe organizatore e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë prej 11 deri më 19 korrik 2020 dhe ne tashmë i kemi kryer të gjitha punët teknike në koordinim me zyrtarët e FIBA Evropës. Pavarësisht pandemisë COVID-19 ne kemi vazhduar me punët intensive rreth përgatitjeve për këtë event. Sidoqoftë, tani na mbetet që në bashkëpunim me Bordin e FBK-së dhe FIBA Evropën, si dhe institucionet në vendin tonë të punojmë në atë drejtim, që të vazhdojmë me përgatitjet për vitin e ardhshëm”.


 
Të gjitha lajmet nga