FITORE HISTORIKE NDAJ GJEORGJISË
Asllani vendimtar, Shqipëria i kthehet fitores
14 October, 2024 @20:06
Shqipëria ka shënuar fitore në ndeshjen e nevojshme për pikë, siç tha Sylvinho para ndeshjes. Selektori kishte përgatitur futbollistët se në këtë duel, duhen marrë pikë, pasi që gjasat për më shumë gjatë muajit të ardhshëm do të zbeheshin në tërësi.
Kristjan Asllani shutoi mirë përtoke nga maja e zonës së rreptësisë, pasi që topin e Mario Mitajt nga gjysma e fushës, Nedim Bajrami e fitoi me lëvizje trupi, për të kaluar mbrojtësin, futur në zonë dhe pas pasimit, Indrit Tuci që debutoi si startues te kuqezinjtë, lëshoi topin për të shutuar golashënuesi i golit të fitores.
Shqipëria për herë të parë ka mposhtur Gjeorgjinë si mysafire, ndërsa rezultati 0-1 [Kristjan Asllani 48’] ktheu kuqezinjtë në lojë në Grupin 1 të Ligës B të Kombeve, pasi që skuadra doli nga fundi i tabelës. Shqiponjat tash i presin dy ndeshje si vendas gjatë nëntorit, ku janë nikoqirë të Çekisë fillimisht, ndërsa tre ditë më pas presin Ukrainën gjatë nëntorit.
Tre ndërrime në formacion për dallim nga ndeshja ndaj Çekisë të bëra nga Sylvinho, ngjallën por edhe siguruan lojën. Arlind Ajeti dhe Ivan Balliu bënë detyrën shumë më mirë sot, sesa Marash Kumbulla e Elseid Hysaj në ndeshjen para tre ditëve ndaj Çekisë, ndërsa sulmuesi Indrit Tuci u tregua tip lojtari që e don Sylvinho në maje të sulmit, për dallim nga Mirlind Daku që kishte startuar në Pragë.
Tuci asistoi për gol, ndërsa Ajeti në kombinim me kapitenin e sotëm Ardian Ismajli bënë detyrën jashtëzakonisht mirë, derisa mbrojtja zonale në kombinim me mesfushorët si dhe krahët - funksionoi thuajse shkëlqyeshëm për të arritur te fitorja e shumë kërkuar e kuqezinjëve në Tbilisi.
Qazim Laçi tentoi me të nisur loja, më pas Indrit Tuci pati rast të mirë, por shutoi jo fortë sa për të kaluar Giorgi Mamardashvilin. Derisa Gjeorgjia u këndell, pati një mundësi të mirë, por Budu Zivzivadze nuk goditi si duhet me kokë. Një goditje të mirë e kishte edhe Zuriko Davitashvili, por Thomas Strakosha u tregua i sigurtë.
Me të nisur pjesa e dytë, kombinimi i mirë nga e majta dha golin. Veprimi i suksesshëm dhe i mençur i Bajramit që gjeti Tucin në zonë të rreptësisë, mundësoi që Asllani të arrijë në top para mbrojtësve vendas - për të goditur zhagas në pjesën e poshtme të djathtë të Mamardasvhilit dhe për të sjellë gëzim të madh te kuqezinjtë, sonte të veshur me të bardha, pasi që vendasit kishin fanellat kuqezi.
Pas kësaj Shqipëria nuk humbi fokusin në lojë. Edhe pse Gjeorgjia e Willy Sagnolit tentoi mjaft, mos rënia nga kombinimi i futbollistëve mysafirë bëri që të shtyejnë minutat kah fundi, ndërsa rastet ideale për të shënuar kanë pasur edhe Nedim Bajrami në pjesë të parë, kur pas një gabimi të mbrojtësit vendas shutoi plogësht, e në pjesë të dytë kundërsulmin e vetëm Taulant Seferi nuk arriti ta shfrytëzojë! Para kësaj, Mirlind Daku pati rast për të shënuar me kokë, por topi nuk e gjeti kornizën e portës.
Daku zëvendësoi Tucin (66’), ndërsa Seferi Bajramin (77’). Bajramin Sylvinho e nxorri me të parë që mesfushori nuk arriti të vrapojë dy minuta më parë për të mbuluar Otar Kakabadzen në krahun e tij, që kishte depërtuar deri në zonë i vetëm. Por, fatmirësisht atë Khvicha Kvaratskhelia nuk e pa dhe shutoi mbi portë të Strakoshës! Kujtojmë, Gjeorgjia ia dha Shqipërisë humbjen e parë në këtë grup, duke e mposhtur në ndeshjen e shtatorit në “Air Albania” me rezultat 0-1.
Me këtë paraqitje të sontme, Shqipëria jep shpresë për të bërë diçka më shumë në nëntor dhe tashmë me 2 fitore e 2 humbje nga 4 ndeshjet e para, prej të cilave dy fitore si mysafirë, mëtojnë që ndaj Çekisë më 16 nëntor dhe Ukrainës më 19 nëntor të arrihet shumë më shumë. Grupi 1 i Ligës B të Kombeve është i paparashikueshëm dhe secila skuadër mund ta fitojë secilën, ndërsa me sonte u tregua edhe njëherë se, nëse angazhimi nuk është i plotë i gjithë ekipit, fitorja është e paaritshme! Sylvinho këtë e mësoi mirë në Pragë tre ditë më parë - dhe sonte, futbollistët dhanë përgjigjen në fushë.