ALBAN VESELI - PARA NDESHJES
Ata janë nën presion
9 March, 2016 @12:46
Basketbollisti vendor i Pejës, Alban Veseli, ka qenë i matur në parashikimin e ndeshjes së sontme, ku ekipi i tij luan ndaj Kozuvit.
Ai ka thënë se Peja si ekip do të jep maksimumin në këtë ndeshje, ndërsa fitorja për Kozuvin është imperativ dhe ky mund të jetë presion i madh për vendasit.
“Jemi mjaft të përgatitur, e dimë që kjo lojë është jetike për ne. Sa i përket ndeshjes do të japim maksimumin që të kualifikohemi në gjysmëfinale. Natyrisht nuk është aspak lehtë, duke ditur se të njëjtat ambicie i ka edhe ekipi kundërshtar. Do të mundohemi deri në atomin e fundit që të arrijmë në gjysmëfinale. Mendoj se Kozuvi është në presion për shkak të terrenit vendas,” ka thënë Veseli për faqen zyrtare të FBK-së sot.
Peja ka bilanc 2-2 në Grupin D para kësaj ndeshjeje, ndërsa Kozuvi 1-3. Me fitore të Pejës dhe me humbje të Levskit, Peja mund të sigurojë gjysmëfinalen që sonte.