TRAJNERI I TRETË KËTË STINOR TE BALLKANI!
Ballkani zyrtarizoi Orges Shehin, timonier të ri të skuadrës
6 December, 2024 @19:28
Kampioni i trefishtë i Kosovës, Ballkani, ashtu siç u përfol edhe herën e kaluar, kësaj radhe ka arritur të sjellë Orges Shehin në krye të shtabit teknik të klubit.
Ish portieri i kombëtares shqiptare, që si trajner me Tiranën u bë kampion i Superiores shqiptare në stinorin 2021/22 dhe dy herë nënkampion i Shqipërisë, me Tiranën në 2022/23 dhe Partizanin 2023/24, ka nënshkruar sot marrëveshjen me FC Ballkanin për të marrë detyrën e kryetrajnerit të ekipit nga Suhareka.
“FC Ballkani, kampion i Kosovës për tre vite radhazi, mbetet i përkushtuar për të vazhduar traditën e arritjeve dhe për të ngritur standardet e futbollit në vend. Besojmë se me lidershipin dhe aftësitë e Orges Shehit, skuadra jonë do të vazhdojë të shkruajë histori në fushën e lojës,” ka bërë të ditur ndër të tjera FC Ballkani, duke mos qartësuar kohëzgjatjen e marrëveshjes së nënshkruar me durrësakun 47 vjeç.
Shehi do të nis punën menjëherë këtë fundjavë, ndërsa Ballkani me të do të ketë trajnerin e tretë këtë stinor në Superligë. Pas largimit të Ilir Dajës drejt Dinamo Cityt dhe ardhjes së Artim Pollozhanit që dha dorëheqje ditë më parë pas eliminimit nga Kupa e Kosovës në rrethin e dytë nga ekipi i Rilindjes 1974 si dhe humbjes nga Drita, rivali direkt për krye të tabelës, Shehi do të ketë detyrë për të rikthyer Ballkanin te trofetë!
Në fakt, Ballkanit këtë stinor i ka mbetur të ndjekë vetëm titullin kampion, ndërsa ekipi ra në pozitë të tretë të renditjes tabelare të Superligës dhe ka 26 pikë nga 15 ndeshje. Drita lidere ka 34 pikë nga po aq ndeshje. Shehi do të debutojë te Ballkani në mysafirllëk te Ferizaji këtë të diel, kurse ka nisur në pasditen e sotme stërvitjet me ekipin e tij.