BALLKANI - PRISHTINA

Foto: FC Prishtina / FB
Barazim në Suharekë, Prishtina tetë xhiro pa fitore!
8 March, 2025 @15:58
Pa fitues u mbyll ndeshja e sotmes mes Ballkanit dhe Prishtinës në Suharekë. Rezultati i arritur sot bën që Ballkani të mos e shfrytëzojë maksimalisht humbjen e sotme të Dritës në Podujevë, ndërkohë Prishtina vazhdon serinë pa fitore.
Ndonëse po luan mirë në Kupë të Kosovës, sot Prishtina ka shkuar në tetë xhiro pa fitore në kuadër të ligës!
Pas barazimit të sotëm 1-1 (Sunday Adetunji 81’ / Axel Gnapi 90+2’) ndaj Ballkanit, fitorja e fundit e Prishtinës në ligë daton në dhjetorit të vitit të kaluar, kur prishtinasit fituan minimalisht ndaj Dukagjinit.
Ndeshja kaloi me plot raste për shënim për të dyja skuadrat, por goli i parë vonoi deri në minutën e 81’. Një gabim skandaloz i Najeeb Yakubus, mbrojtësit të Prishtinës, e gjeti Sunday Adentujin e Ballkanit me portën zbrazur, e ai nuk e pati problem që të shënojë për 1-0.
Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe e gjetën barazimin krejt në fund të ndeshjes, kur Axel Gnapi shënoi mjeshtërisht me të djathtën për rezultatin përfundimtar 1-1. Ky ishte goli i parë i Gnapit me fanellën bardhekaltër.
Pas ndeshjes së sotme, Ballkani mbetet dhjetë pikë larg Dritës lidere, kurse Prishtinës i rrezikohet vendi i katërt nga Gjilani, që ndeshjen e xhiros e luan nesër.
Xhiron që vjen, Ballkani i shkon Dritës në derbin e javës, kurse Prishtina e pret Dukagjinin.