BASHKIMI

BOROZANI/ Erdis Driza
Bashkimi i pakënaqur me sjelljet e tifozëve
7 October, 2013 @22:07
Rezultati i ndeshjes kryesore të xhiros së parë të ETC Superligës, ndërmjet Bashkimit dhe Pejës, mbeti në plan të dytë.
Peja fitoi takimin me rezultat 52-91, ndërsa ndeshja përfundoi pa praninë e shikuesve pas vendimit që të boshatiset palestra për shkak të ndezjes së fishekzjarreve dhe fyerjeve të vazhdueshme ndaj ekipi mysafir dhe gjyqtarëve nga ana e tifozëve vendas.
Këto sjellje nuk i ka përkrahur as skuadra e Bashkimit, e cila ka reaguar nëpërmjet faqes zyrtare të saj.
“KB Bashkimi dënon aktet e shëmtuara të tifozëve të pandërgjegjshëm, nga sjelljet e të cilëve klubi ynë është dënuar me një shumë parash dhe me një ndeshje pa praninë e shikuesve nga Federata e Basketbollit të Kosovës.
Arsyet kryesore të dënimit janë hedhjet e gjësendeve të buta dhe të forta, ndezja e fishekzjarrëve dhe fyerjet ndaj ekipit kundërshtar dhe zyrtarëve të tjerë gjatë ndeshjes së xhiros së parë kundër Pejës.
Duhet të vetëdijësohemi se këto sjellje vetëm se janë duke e dëmtuar së tepërmi klubin tonë dhe nuk i kanë aspak hije tifozëve të një qyteti siç është Prizreni,” thuhet në reagimin e ekipit prizrenas.
Megjithatë, ndeshja e ardhshme si vendas e Bashkimit, që do të luhet në mesjavë ndaj Sigal Prishtinës, nuk do të jetë tërësisht pa shikues, pas vendimit të Bordit të FBK-së që në raste të tilla, ndeshjen mund ta përcjellin vetëm femrat dhe fëmijët deri në moshën 12-13 vjeç.