TAHIR BATATINA

Batatina: Besa ka lojtarë të talentuar, mund të luajnë në skuadra evropiane
13 March, 2021 @15:33
Skuadra e Llapit sot shënoi fitore ndaj Besës së Pejës, duke e mposhtur ate me rezultat të thellë 1-4.
Pas ndeshjes, trajneri i llapjanëve Tahir Batatina e komplimentoi skuadrën kundërshtare, për përbërjen e saj me lojtarë të rinj dhe të talentuar.
“Ajo që dua të veçoj para se të shkoj te pjesa taktike, është që dua ta përgëzoj klubin e Besës për mbarëvajtjen e kampionatit, i cili është duke u vlerësuar shumë i lartë, pa marrë parasysh që janë me djemë të rinj. Kanë djemë shumë cilësorë, ka talenta në mesin e skuadrës së Besës, të cilët unë si trajner i veçoj shumë lartë dhe mund të jenë shumë shpejt në ndonjë klub të madh evropian. Me këta djemë mendoj se duhet të ketë punë, për ndryshe mendoj se Besa është skuadër solide, edhe pse janë të rinj”, tha Batatina pas ndeshjes për kanalin televiziv transmetues, Artmotion.
Tutje, ai foli edhe për skuadrën e tij dhe fitoren e arritur sot, duke e cilësuar ate të rëndësisë së veçantë për motivim para ndeshjes ndaj Trepçës ‘89 në Kupë, të cilën e quajti si ndeshje të stinorit për llapjanët.
“E kemi ditur që po vijmë te një skuadër që ka motiv. Por ne i kemi qasur lojës tonë në aspektin taktik që ta fitojmë lojën në mënyrën më të mirë të mundshme. Në pjesën e parë i shënuam shumë shpejt dy gola, pastaj pranuam një gol, por prapë e kontrolluam gjithçka që na u desh si skuadër. Më vjen mirë që sot nga penalltia shënoi Valmir Veliu. Mendoj që këto tri pikë për neve kanë qenë të rëndësisë së veçantë para ndeshjes në Kupë ndaj Trepçës ‘89, që për neve është ndeshje e stinorit. Më gëzon fakti që lojtarët sot kaluan pa asnjë lëndim. Arkëtuam tri pikë dhe do të punojmë për ndeshjet e radhës që këtë ta kemi në vazhdimësi”, përfundoi ai.