EDIN BAVCIC
Bavcic gjen skuadrën e re
15 September, 2015 @16:03
Njëri prej basketbollistëve më të vlefshëm të Sigal Prishtinës në stinorin e kaluar, qendra bosnjake Edin Bavcic, ka gjetur skuadrën e re me të cilën do të luaj në këtë stinor.
Basketbollisti 209 centimetra i gjatë ka nënshkruar me njërën prej skuadrave më të forta të Hungarisë, Sopron, njofton faqja e njohur e basketbollit eurobasket.com.
Bavcic në stinorin e kaluar me Sigal Prishtinën ka pasur mesatare prej 17.1 pikëve dhe 10.1 kërcimeve për ndeshje në Ligën Ballkanike, duke u bërë kërcyesi më i mirë në ligë, si dhe koshashënuesi i dytë më i mirë te bardhekaltërit pas Dardan Berishës.
Skuadra e re e Bavcicit, Sopron, në stinorin e kaluar ka qenë gjysmëfinaliste e kampionatit hungarez.
Bavcic së fundi ishte pjesë e reprezentacionit të Bosnjës dhe Hercegovinës në kampionatin europian Eurobasket 2015, duke u eliminuar qysh në fazën grupore.