SUHAREKË

Fotot: KBYlli/fb
Beciragic, Zeqiri e Elshani - vazhdojnë me kampionin e Kosovës
28 June, 2022 @14:08
Trajneri boshnjak, Adis Beciragic dhe ndihmësit e tij Endrit Elshani dhe Petrit Zeqiri - do të vazhdojnë edhe për një stinor të jenë pjesë e ekipit kampion të Kosovës në basketboll, KB Ylli.
Ylli para pak çastesh ka zyrtarizuar njoftimin për treshen që quhet “truri” i ekipit, ndërsa Beciragic që mori drejtimin e reprezentacionit të Bosnjes e Hercegovinës këtë muaj, është konfirmuar të vazhdojë edhe me kampionin e Kosovës.
Kujtojmë, Ylli të gjitha trofetë e fituara deri tash, i ka fituar nën drejtimin e boshnjakut, ndërsa në njoftim ekipi e ka quajtur “El Profesor” atë.
Ylli në dy vitet e fundit ka fituar dy herë titullin e kampionit të Kosovës. Ka fituar më parë edhe edicionin e parë të Ligës Unike, si dhe Superkupën e kësaj gare.
Në një mënyrë, Ylli ka konfirmuar që do të jetë pjesë e Ligës Unike edhe këtë stinor 2022/23 pasi që në llogon e prezantimit të trajnerëve, pos asaj të FBK-së dhe Basketball Champions League, ku do të merr pjesë për herë të parë, shihet edhe ajo e Ligës Unike.