DARDAN BERISHA

Berisha: Po luftojmë kundër shumë gjërave
18 March, 2021 @20:13
Dardan Berisha sot ishte ndër më të mirët në fushë për Pejën në ndeshjen kundër Ponte Prizrenit, por paraqitja e tij e mirë nuk i ndihmoi Pejës që t’i shmanget humbjes së 12-të në Superligë.
Pas ndeshjes, Berisha foli për kanalin transmetues të ndeshjes, ku fillimisht shprehu gëzimin për kthimin e Lis Shoshit nga lëndimi ndërsa më pas tha se si ekip kanë shumë punë përpara për të arritur deri te suksesi i kërkuar, duke u nisur që nga sigurimi i një vendi në Play Off.
“Më gëzon fakti që Lisi është kthyer. Ai do të na ndihmojë shumë. Kemi shumë punë përpara. Duhet shumë më shumë të ushtrojmë dhe për Play Off të jemi sa më gati. Më së pari duhet të fitojmë disa ndeshje për Play Off. Të gjithë po mendojnë se veç jemi në Play Off, por nuk është ashtu”, tha Berisha.
Më tej, ai tha se ekipi po kanë pengesa të shumta të natyrave të ndryshme, që po paraqesin probleme për verdhezinjtë.
“Po luftojmë kundër shumë gjërave. Kundër kundërshtarëve, kundër viruseve, kundër lëndimeve që kurrë nuk po jemi të kompletuar, kështu që me të vërtetë po kemi shumë probleme. Por shpresoj që do t’i kalojmë këto, do të jemi komplet dhe do të jemi më të fortë”, tha Dardani.
Në ndeshjen e sotme ndaj Ponte Prizrenit, Peja megjithëse ishte më e kompletuar në përbërjen e lojtarëve, ajo kishte mangësi në shtabin teknik për shkak të infektimit me COVID-19 të kryetrajnerit Dragan Radovic dhe ndihmësit të tij, Petrit Zeqiri.