PEJË
Besa ndërron të huajt
16 October, 2013 @12:50
Skuadra e Besës që po udhëhiqet nga trajneri i mirënjohur kroat, Boris Kurtovic, ka paraqitur për regjistrim në Federatën e Basketbollit të Kosovës, basketbollin nga Bahama, Quentin Demeritte.
Aloja që ka bërë karrierë në ligën IBL të SHBA-ve si dhe në Amerikën Latine në Peru, Meksikë dhe Brazil, brenda javës pritet të arrijë në Pejë që të jetë gati për ndeshjen e xhiros së katërt të Superligës.
Demeritte së fundi ka luajtur për skuadrën amerikane Orlando Venom në ligën IBL të SHBA-ve. Ai luan në pozitën e alos dhe është i gjatë 198 centimetra, derisa është i lindur në vitin 1982.
Besa, në tre ndeshjet e para të Superligës është mposhtur tre herë. Të tre humbjet e Besës kanë qenë kryesisht me rezultat të ngushtë, nga RTV 21, Drita dhe Bashkimi.
Në xhiron e radhës, ekipi që po debuton këtë edicion në Superligë do të ndeshet ndaj njërës nga dy skuadrat më të fuqishme në Superligë, Sigal Prishtinës.
Nga klubi janë larguar amerikani Keneth Smith dhe qendra uzbeke, Dmitry Sviridov, pas vetëm një muaji qëndrim.