BALKAN LEAGUE
Peja niset për Gjevgjeli
14 October, 2013 @10:56
Skuadra kampione e Kosovës në basketboll, Peja, që në fundjavë humbi derbin e madh ndaj Sigal Prishtinës, sot udhëton drejt Gjevgjelisë në Maqedoni.
Ekipi i udhëhequr nga trajneri kroat Daniel Lutz, nesër mbrëma do të zhvillojë ndeshjen e parë zyrtare ndërkombëtare në kuadër të Ligës Ballkanike ndaj Kozuvit.
Kjo njëherit është edhe ndeshja e parë e stinorit në këtë ligë.
Kozuv që është njëra ndër skuadrat e katërshes më të mirë të Maqedonisë në fundjavë ka mposhtur si vendase rivalen e madhe Feni Indistrija me rezultat të thellë 89-71.
Ndër më të dalluarit te ekipi jugor maqedon kanë qenë serbët Miladin Pekovic dhe Igor Mijajlovic me nga 21 përkatësisht 16 pikë të shënuara, si dhe maqedonasi Dimitar Karadzovski me 16 pikë.
Kjo treshe njëkohësisht është edhe baza e ekipit, pasi që janë në moshë të pjekur prej 29-30 vjeçarë, të tre këta basketbollistë.
Ndeshja zhvillohet në palestrën 26 prilli të Gjevgjelisë me treshen e referëve nga Mali i Zi.
BALKAN LEAGUE:
Nesër 19:00; Palestra: 26 Prilli; Gjevgjeli; | Kozuv (Maqedoni) - Peja (Kosovë) | Gjyqtarët: Sutulovic, Jokic, Kaludjerovic; (të gjithë nga Mali i Zi) |