EKSKLUZIVE: MUSTAFË MEROVCI
Besoj në trofe dhe Superligë
29 April, 2016 @23:30
Rahoveci dhe Drita nesër luajnë ndeshjen vendimtare për plasman në Superligë. Fituesi kualifikohet direkt në Superligë dhe merr trofeun e kampionit të Ligës së Parë.
Rahoveci ka pasur ecuri perfekte gjatë stinorit të rregullt në Ligë të Parë, ndërsa këtë e ka vazhduar deri në finale të Play-Offit, kur në ndeshjen e dytë të serisë, u mposhtën nga Drita dhe tashmë seria është barazuar në 1-1.
“Arsyet e humbjes së parë të stinorit kanë qenë të qarta. Kemi luajtur në mbrojtje shumë plogësht dhe sulmin e kemi pasur disi pa orientim. Nuk kemi arritur t’i zbatojmë urdhërat e trajnerit Valentin Spaqi. Ndoshta arsye ka qenë edhe shpërqënrdimi i lojtarëve, por sidoqoftë atë ndeshje tashmë e kemi harruar,” ka thënë Mustafë Merovci, basketbollist i KB Rahoveci në një bisedë me Borozani.com para ndeshjes së fundit finale në Ligë të Parë.
Merovci, që më parë ka djersitur fanellat e shumë ekipeve të Superligës, beson se me Rahovecin do t’i kthehet elitës së basketbollit nesër.
“Sa i përket lojës së nesërme besoj që së pari salla do të jetë e stërmbushur me tifozë nga Rahoveci dhe do të kemi një atmosferë që edhe Superligës i mungon, gjë që e kemi dëshmuar deri tash,” ka thënë ai.
“Unë besoj në fitoren e ekipit. Kemi ecuri fantastike prej 23 fitoresh e vetëm një humbjeje dhe nesër do të dëshmojmë se nuk kemi arritur këtu rastësisht, por falë punës së palodhshme të ekipit dhe klubit që i ka plotësuar kushtet për ne lojtarët,” ka shtuar Merovci.
Ai është njëri ndër basketbollistët më të dalluar të ekipit në Ligë të Parë ndërsa nesër shpreson që të ngris trofeun e kampionit të kësaj lige.
“Shpresoj që nesër do ta ngrisim lartë trofuen e kampionit të Ligës së Parë, që na mundëson Superligën nga stinori i ardhshëm,” ka thënë në fund ai për Borozani.com.