DIVINE MYLES
Besuam në fitore, por na mungoi agresiviteti
19 February, 2021 @9:17
Playmakeri i natyralizuar i Kosovës, Divine Myles, ka qenë i zhgënjyer pas humbjes së Kosovës ndaj Luksemburgut mbrëmë, ndërsa ka bërë të ditur se ekipi përkundër se ishte i përgatitur dhe besonte në fitore, numri i madh i kërcimeve të dhëna te kundërshtari, çoi skuadrën në humbje.
“Vështirë është të flasësh tash. Erdhëm për fitore. Kërkonim fitore. Ishim bashkë dhe të motivuar gjatë gjithë kohës,” ka thënë fillimisht ai.
Myles që statistikisht doli më i miri i ndeshjes te Kosova mbrëmë dha 21 pikë, 5 asistime e 7 kërcime për ekipin, por fitorja s’erdhi. Luksemburgu fitoi 99-89.
“Do të duhej të ishim shumë më agresivë në lojë. Në shumicën e ndeshjeve të këtij lloji kërcimet vendosin dhe kjo na ndodhi. Ne përkundër kësaj besonim se ishim afër fitores, por do të përpiqemi tash që të kthehemi në ndeshjen tjetër,” ka thënë ndër të tjera ai.
Kosova që ishte e para në Grupin B parakualifikues për Botërorin 2023 pas dy ndeshjeve të para, tashmë ka regjistruar humbjen e tretë me radhë dhe kualifikimin tutje nuk e ka të sigurt.
Dardanëve iu duhet fitorja në përballje ndaj Sllovakisë (nga të cilët kanë humbur me 26 pikë epërsi në Sllovaki) dhe duhet të shpresojnë që Islanda e kualifikuar, të mos lëshojë pe ndaj Luksemburgut dhe t’i mposht ata.
“Ne do të dalim për fitore në ndeshjen e radhës. Do të jemi më të motivuar në ndeshje. Do të dalim për fitore. Do të luftojmë për secilin top. Besojmë në mundësinë për fitore dhe shpresojmë në kualifikim,” ka shtuar ndër të tjera Myles.
Duelet e fundit të Grupit B parakualifikues për Botërorin 2023 zhvillohen nesër në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve në Prishtinë.
Luksemburgu luan ndaj Islandës në ora 16:00, ndërsa Kosova ndaj Sllovakisë në ora 19:00.
TABELA, GRUPI B:
1. Islanda 4-1
2. Luksemburgu 2-3
3. Sllovakia 2-3
4. Kosova 2-3.
Pra, Islanda duhet të mposht Luksemburgun, derisa Kosova të mposht Sllovakinë - ashtu që Dardanët të sigurojnë fazën tjetër kualifikuese të garave për Botërorin 2023.