BIBL

BOROZANI/ Lis Dorambari
BIBL në pritje për Prishtinën, Peja në pikëpyetje
9 July, 2015 @16:39
Dy skuadrat kosovare që kanë marrë pjesë në Ligën Ballkanike në dy vitet e fundit, Sigal Prishtina dhe Peja, ende nuk e kanë të sigurtë nëse do të marrin pjesë në këtë garë edhe në edicionin e ri.
Pas konfirmimit zyrtar të KB Bashkimit, si pjesëmarrës në BIBL, tashmë sytë janë kthyer te këto dy skuadra.
Drejtori sportiv i Ligës Ballkanike, Shay Shtriks, dhe menaxherja për marrëdhëniet ndërkombëtare, Lubomira Shtriks, gjatë kësaj jave kanë vizituar Kosovën, Shqipërinë dhe Maqedoninë, për të biseduar me skuadrat të cilat synojnë të jenë pjesë e edicionit të ri në Ligën Ballkanike.
Në Kosovë, përveç takimit me drejtuesit e klubit të Bashkimit, Shtriks u takua edhe me zyrtarët e Sigal Prishtinës dhe Pejës.
Në pritje për Prishtinën
Në takimin me drejtorin sportiv të bardhekaltërve, Florian Miftarin, është vendosur që vendimi përfundimtar për Sigal Prishtinën të jepet në javët në vijim, për shkak të situatës së paqartë të ekipit prishtinas, i cili është nominuar nga FBK-ja për pjesëmarrje edhe në një ligë tjetër ndërkombëtare që do të krijohet sivjet nga FIBA, derisa është shtuar se vendi i Sigal Prishtinës në BIBL për stinorin 2015/16 është e sigurtë.
Peja ka gjasa
Kurse në takimin me zyrtarët e klubit të Pejës, përkatësisht kryetarin e klubit, Art Gashin, Shtriks ka sqaruar situatën jo të këndshme, të krijuar për shkak të përjashtimit të Pejës nga Superliga, kryetari Gashi duke pranuar dhe respektuar vendimin e FBK-së për përjashtim nga Superliga, ri-shprehu interesimin për pjesëmarrje edhe në këtë edicion në Ligën Ballkanike, duke shtuar se Peja mund të ketë buxhet dhe skuadër konkurrente për këtë garë.
Kërkesa e skuadrës pejane është mirëpritur nga Liga Ballkanike, mirëpo vendimi përfundimtar për pjesëmarrjen e saj pritet të mirret në ditët në vijim.
Vllaznia e paqartë, opcion edhe Tirana
Nga vizita e delegacionit të BIBL në Shqipëri dhe Maqedoni, është biseduar për skuadrat e Vllaznisë dhe Kumanovës. Skuadra shkodrane ka treguar gatishmëri për pjesëmarrje edhe në edicionin e sivjetëm, mirëpo për shkak të zgjedhjeve lokale ende nuk ishtë i definuar saktësisht buxheti i klubit, gjë që e pamundëson konfimimin për pjesëmarrje, derisa nuk është përjashtuar as mundësia e pjesëmarrjes së SK Tiranës në garat e sivjetme.
Kurse në Maqedoni, në takimin me zyrtarët e klubit të Kumanovës, është konfirmuar vazhdimi i pjesëmarrjes së këtij klubi në garat e sivjetme.
Deri më tani, përveç skuadrave të lartpërmendura, konfirmimin për pjesëmarrje e kanë marrë skuadrat Rilski Sportist (Bullgari), Kozuv (Maqedoni), Mornar Bar (Mali i Zi), Sutjeska (Mali i Zi) dhe Teodo (Mali i Zi).