KB PRIZRENI

Blend Matoshi, gjatë stërvitjeve në edicionin e kaluar me ekipin e KB Prizreni/ Foto: KBPrizreni/fb
Blend Matoshi vazhdon me bardhezinjtë e Prizrenit
15 July, 2022 @9:12
Njëri ndër basketbollistët e parë që i kishte besuar projektit të KB Prizreni vite më parë kur arrinin në Superligë, ka vazhduar marrëveshjen edhe për një sezon me mundësi vazhdimi me klubin.
Pejani Blend Matoshi është zyrtarizuar dje nga klubi i Prizrenit si lojtar i tyre edhe për edicionin vijues, duke shtuar tashmë besimin në total - për të kaluar edicionin e pestë bashkë.
“Ponte Prizreni e Blend Matoshi janë për 4 vite bashkë, ky do jetë sezoni i 5 për ne së bashku. Klubi i basketbollit Ponte Prizreni vlerëson lartë vlerat dhe besnikërinë e lojtarëve dhe jemi me fat që e njëjta na përcjellë në mënyrë reciproke.” - ka shkruar ndër të tjera njoftimi i KB Prizrenit për ri-arritjen e marrëveshjes me lojtarin.
Matoshi tash 27-vjeçar, në sezonin e kaluar ka pasur mesatarisht 13.1 minuta për ndeshje në Superligë me bardhezinjtë e drejtuar nga Arbnor Rifati, ndërsa ka luajtur me 4.2 pikë për ndeshje, 0.8 asistime e 1.7 kërcime.
Ndërsa në Ligën Unike, basketbollisti i pozitave 2-3 me 193-centimetrat e tij ka pasur mesatare prej 14 minutash për ndeshje, duke shënuar 3.2 pikë mesatarisht, 0.6 asistime dhe 1.6 kërcime. .
Këtë stinor, në total te të gjitha marrëveshjet e bëra dhe të zyrtarizuara nga KB Prizreni Matoshi është bërë vazhdimi i tretë, pas Urim Zenelajt dhe Qëndrim Ajazajt. Ekipi gjithashtu ka prezantuar tri përforcime, duke shtuar në skuadër dyshen e re të Prishtinës, Meriton Ismaili dhe Donat Rexhepi, si dhe duke rikthyer malazezin Ivan Koljevic.