MANCHESTER UNITED
Bojkot klubit, kërkohet ndërrimi i kryesisë!
7 May, 2019 @19:29
Me hashtagun #UnfollowManUnited, tifozët e Manchester United në rrjetet sociale kanë filluar një fushatë për bojkotimin e klubit që ata e përkrahin në rrjetet e ndryshme sociale.
Një sezon që po mbyllet në mënyrë të turpshme dhe një deklaratë e fuqishme nga Gary Neville, i cili e shpjegoi qartë se në çfarë menaxhimi të tmerrshëm po kalon 20-herë kampioni i Anglisë, në Sky Sports mbrëmë, kanë ndikuar edhe më tepër që tifozët e United të bashkohen mes vete kundër kryesisë së klubit, largimi i të cilëve kërkohet tash e sa vite.
Numri i ndjekësve të Manchester United në Twitter ka pësuar rënie gjatë ditës së sotme, dita e parë e kësaj fushate, mirëpo të vetëdijshëm që vetëm shkrimet në rrjetet sociale nuk mjaftojnë, qëllimi i fansave në Twitter është që të arrihet kontakt me tifozët që ndjekin ndeshjet nga afër dhe me anë të tyre të fillohet bojkotimi i klubit, qoftë me kore të ndryshme, mungesë në tribuna apo edhe me çfarëdo forme tjetër, derisa Ed Woodward, një nga fajtorët kryesorë për gjendjen e klubit, bashkë me familjen Glazers, pronare e klubit, të largohen nga klubi.
Se a do të ketë sukses kjo fushatë, mbetet të shihet në vijim.