Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

BARAZIM NË DERBI!

Broja në sekondën e fundit, nxjerr pikë për Dritën ndaj Prishtinës

Foto: FCPrishtina/ fb/ Sh. Ahmeti

Broja në sekondën e fundit, nxjerr pikë për Dritën ndaj Prishtinës


15 February, 2025 @23:45

Pesëmbëdhjetë minuta para fundit të ndeshjes, dukej se Prishtina po shkonte drejt fitores në derbi ndaj Dritës në “Fadil Vokrri”! Kjo pasi që Drilon Islami kishte rrëmbyer topin e Albert Dabiqajt në mes të fushës dhe duke vazhduar drejt për në 16-shen e kundërshtarit shënoi bukur për 3-1, 14 minuta pasi që Besnik Krasniqi nga penalltia i kishte dhënë shpresa Dritës kur shënoi për 2-1!

Por, Dabiqaj “lau veten”. Ai u gjet në vend të duhur, kur Drita që në sulmin tjetër pas golit të Islamit shënoi. Zëvendësuesi Veton Tusha provoi bukur nga këndi i 16-shes, Ardit Nika e mbrojti mezi, por topin e dëbuar Besnik Krasniqi e shtyu pak, mjaftueshëm sa Dabiqaj të kthejë përsëri disanvatazhin në një gol, 3-2!

Pjesa e dytë u dominua nga Drita, pas pjesës së parë që plotësisht i takoi Prishtinës dhe mori epërsinë 2-0 pas 45 minutave të para. Tepër afër fitores ishte Prishtina e Jean-Michel Cavallit, por kapiteni i mysafirëve në minutën e fundit të kohës shtesë shënoi për barazimin 3-3! Ndeshja thuajse kishte përfunduar. Një top i gjatë nga mbrojtja, para zonës së rreptësisë një krosim, që u dëbua dhe arriti në këmbët e Rron Brojës - i cili pa menduar fort, goditi me të majtën me prekje në tokë, për të mos i dhënë rast Ardit Nikës për më shumë.

Liderja Drita kështu kaloi derbin pa humbje, ndërsa ngriti kuotën e pikëve në 44! Prishtina humbi mundësinë që të dalë mbi Malishevën në pozitë të tretë të renditjes me ndarjen e pikëve në fund. Mbeti e katërta me 29 sosh nga 20 ndeshje.

Axel Gnapi, sulmuesi i ri i Prishtinës kishte shënuar një gol që iu anulua nga VAR për “fije floku” (64’) ndërsa pati edhe një mundësi të mirë kah fundi i ndeshjes (90’+2), por goditja me kokë shkoi mbi portë. Ai tregoi se mund të bëj dallimin në sulm. Leotrim Kryeziu që shënoi golin e parë të Prishtinës, në fillim të ndeshjes nuk kishte arritur ta shënonte penalltinë, që e mbrojti Faton Maloku, kur rezultati ishte 0-0 (10’).

Kryeziu më pas i dha avantazhin Prishtinës nga një tollovi në zonë, ndërsa pas tij i riu Diar Halili shënoi super-gol kur goditi nga rreth 30-metra dhe me pak devijim të Juan Mesës, çoi në këmbë ata pak publik që kishin shkuar për spektakël në “Fadil Vokrrin” me temperatura dimërore! Prishtina - Drita 3-3 [Leotrim Kryeziu 25’, Diar Halili 35’, Drilon Islami 75’ - Besnik Krasniqi 61’pen., Albert Dabiqaj 77’, Rron Broja 90’+5].

Prishtina është ekipi me më së shumti barazime në Superligë, ndërsa me sot numri i barazimeve ka shkuar në tetë për kryeqytetasit. Drita, regjistroi barazimin e pestë, ndërsa ndjekësi i parë i saj Ballkani ka mundësi që nesër t’i afrohet në tabelë nëse fiton. Kampionët nga Suhareka kanë aktualisht 8 pikë më pak se liderja nga Gjilani, ndërsa me fitore këtë do ta zbrisnin në 5!

 


 
Të gjitha lajmet nga FFK Superliga