SHORTI PËR ÇEREKFINALE!

Foto: KFVëllaznimi/ fb
Çiftet çerekfinale të Kupës, mësohen në mesjavë!
15 February, 2025 @11:44
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) pas përballjeve të së tetës së finales në kuadër të Kupës së Kosovës, ka bërë të ditur se shorti për ndeshjet dhe çiftet çerekfinale në këtë garë do të hidhet në mesjavën që vjen.
Kështu, pasi që Drita, Prishtina, Vëllaznimi, Drenica, Malisheva, Llapi, Prishtina e Re dhe Ferizaji siguruan një vend në TOP-8 për trofeun e Kupës së Kosovës, tashmë do të presin kundërshtarin potencial në luftë për trofe, që siguron dalje në gara evropiane këtë verë.
SKEMA E KUPËS | Si arritën ekipet deri në çerekfinale?
Nga Superliga në çerekfinale janë: Drita, Prishtina, Malisheva, Llapi dhe Ferizaji. Ndërkaq ekipet nga Liga e Parë që kanë arritur deri këtu janë: Drenica dhe Vëllaznimi nga Liga e Parë - Grupi A dhe Prishtina e Re nga Liga e Parë - Grupi B.
Duke filluar në ora 13:00 të mërkurën e 19 shkurtit FFK në zyret e saj do të hedh shortin ku do të kuptohen kush me kë do të përballet në çerekfinale. Çerekfinalet luhen një ndeshje dhe fituesi i saj siguron gjysmëfinalen. Vendasi i çiftit çerekfinal kuptohet gjatë shortit.