NGJARJE E MADHE

Bursa për NCAA në Prishtinë
7 April, 2017 @8:50
Më 22 dhe 23 prill në Prishtinë, gjegjësisht në palestrën e sporteve të kolegjit Eurosporti në Bardhosh, organizohet kampi NCAA Showcase Kosovo 2017, ku basketbollistët e rinj kosovarë do të kenë rast të tregojnë talentin e tyre dhe mundësi që karrierat e tyre basketbollistike dhe akademike ti vazhdojnë në Shtete e Bashkuara, ose në vende evropiane.
NCAA Showcase në Prishtinë do të sjellë trajnerë të kolegjeve të divizionit të parë dhe të dytë të ligës NCAA, të cilët basketbollistëve me potencial do të kenë mundësi tu japin bursa për vazhdim të përsosjes së tyre akademike dhe basketbollistike në SHBA.
Njëkohësisht në këtë kamp do të ketë edhe skautë të klubeve nga Turqia, Italia dhe vendet tjera evropian që do të shikojnë nga dora e parë lojtarët kosovarë dhe do tu ofrojnë prova ose mundësi nënshkruajnë kontrata me klube në vendet e tyre.
Një prej organizatorëve të këtij kampi Leart Hoxha duke dhënë detajet deklaroi se “kampi do të jetë rasti më i mirë ndonjëherë për lojtarët e rinj të Kosovës dhe rajonit. Të gjithë lojtartë do të luajnë më shumë se një ndeshje dhe të gjithë lojtarët brenda ndeshjes do të ketë minutash fiks dhe të barabartë. Kjo do të thotë se secili lojtar që merr pjesë do të ketë rastin e barabartë të dëshmojë shkathtësitë e tij para trajnerëve amerikanë dhe skautëve nga vendet evropiane. Kampi do të mbledhë talentët më të mëdhenj të Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe jemi shumë krenar që kemi arritur që një Showacse kamp, të autorizuar nga NCAA ta sjellim në Kosovë si vendi i vetëm në rajon”.
Fëmijët e interesuar për kamp do të mund të paraqiten nëpërmjet ueb faqes www.basketball-ks.com , kurse çmimet e paraqitjes janë 60 Euro, për një ditë dhe 85 Euro për dy ditë pjesëmarrje.
Në kamp preferohet pjesëmarrja e lojtarëve që sivjet mbushin 20 vjet e më të rinj, të cilët kërkojnë bursa për kolegj ose për vitin e fundit të shkollës së mesme në SHBA. Detaje tjera për kampin do të bëhen të ditura ditëve të ardhshme.