Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

AZERBAJXHANI - KOSOVA

Çereku i fundit fatal, Kosova mposhtet nga Azerbajxhani

Foto: FIBA

Çereku i fundit fatal, Kosova mposhtet nga Azerbajxhani


25 February, 2024 @12:55

Pas fitores ndaj Irlandës në ndeshjen e parë, Kosova është mposhtur në takimin e dytë të grupit parakualifikues drejt Botërorit të vitit 2027.

Kosova sot u mposht nga Azerbajxhani me rezultat 87-77.

Pas çerekut të parë 19-19, Kosova pati pak rënie të lojës në fillim të çerekut të dytë, sidomos në mbrojtje, por u përmirësua dukshëm në minutat e fundit. Ky çerek u fitua nga Kosova 24-25 dhe skuadrat shkuan në pushim pranë rezultatit 43-44.

Dardan Berisha me 15 pikë dhe Musab Mala me 9 pikë ishin më të mirët te Kosova në këtë pjesë. Për t’u përmendur nga kjo pjesë është edhe paraqitja mjaft e mirë e Dardan Kapitit.

Çereku i tretë ishte plotësisht i barabartë sa i përket pikëve dhe u mbyll 16-16. Skuadrat e nisën çerekun vendimtar me rezultatin që shënonte 59-60.

Fatal për Kosovën ishte 10-minutëshi i fundit, në të cilin Azerbajxhani ishte më i mirë (28-17) dhe rrjedhimisht e fitoi takimin me rezultatin përfundimtar 87-77.

Sa i përket paraqitjeve individuale, sot më të mirët te Kosova ishin Dardan Berisha (20 pikë), Dardan Kapiti (19 pikë) dhe Musab Mala (16 pikë). Ditë jo e mirë për Drilon Hajrizin, që sot luajti me vetëm 5 pikë.

Me 27 pikë e 11 kërcime, Orhan Haciyeva ishte më meritori në fitoren e Azerbajxhanit në këtë takim.

Përveç humbjes, Kosova rreth 3 minuta para fundit të ndeshjes humbi edhe Dardan Berishën, i cili u detyrua të largohet nga loja për shkak të një lëndimi të pësuar, lëndim i cili shpresojmë të mos jetë serioz.

Takimi tjetër i grupit, ai mes Irlandës dhe Zvicrës, luhet sot me fillim nga ora 16:00.

Pas dy ndeshjeve të para, Kosova ka bilanc 1-1, njëjtë sikur Azerbajxhani, ndërsa duhet përmendur që dy ndeshjet e para të grupit Kosova i luajti me mungesa të rëndësishme në skuadër. Erjon Kastrati, Domenic Artis, Lis Shoshi e Jan Palokaj nuk ishin pjesë e Kosovës në këtë grumbullim.

Ndeshjen e ardhshme parakualifikuese në këtë grup Kosova e luan si mysafire ndaj Zvicrës më 21 nëntor.


 
Të gjitha lajmet nga Përfaqësuesja