FINAL FOUR: CSKA MOSKA - REAL MADRID
Çereku i tretë, ua siguroi finalen
19 May, 2018 @1:10
Real Madridi është ekipi që do t’i dalë përballë kampionit aktual të Euroligës, Fenerbahçe, në finalen e së dielës.
Madrilenët kanë mposhtur CSKA Moskën sonte në Stark Arena të Beogradit, në përballjen e dytë të Final Fourit, 83-92 për të siguruar biletën për finale.
CSKA-ja ia nisi më mirë ndeshjes. Moskovitët shënuan 30 pikë në 10 minutëshin e parë të ndeshjes dhe kishin epërsi dyshifrore (I: 30-20).
Por, Reali me 5 treshe radhazi në 3 minuta të çerekut të dytë (II: 16-27) barazoi gjithçka. Më pas me mbrojtje të fortë në çerek të tretë, krijoi epërsi (III: 10-16), që në çerekun e katërt nuk arriti të ulej nga CSKA-ja (IV: 27-29) dhe kështu ekipi i drejtuar nga Pablo Laso arriti finalen.
Luka Doncic me 16 pikë e 7 kërcime, si dhe Sergio Llull me 16 pikë e 5 asistime, ishin më efikasit te Reali sonte. Ndërsa Gustavo Ayon qe i vetmi që përfundoi takimin me double-double, duke shënuar 12 pikë e 11 kërcime.
Në ekipin e Dimitris Itoudisit 20 pikët e Nando De Colos nuk mjaftuan. Ashtu sikurse edhe 32 pikët e shënuara nga Will Clyburn e Kyle Hines, të dy nga 16 sosh.
Finalja e madhe e Euroligës zhvillohet të dielën në mbrëmje në Stark Arena të Beogradit, ku takohen Real Madrid dhe Fenerbahçe.