STREETBALL KOSOVA 2016
Che Bari, superfinalisti i parë
16 July, 2016 @22:50
Ferizaji ka dhënë Superfinalistin e parë, të kampionatit të 17-të të streetballit kosovar, Limak Streetball Kosova 2016.
Është kjo skuadra nga Prishtina “Che Bar”, e udhëhequr nga Fikret Shatri, Fisnik Juniku, Albatrit Berisha dhe Adonis Morina, që në finale triumfoi ndaj skuadrës ferizajase “123” me rezultat të thellë 20-8.
Che Bari, dy herë kampion i Kosovës në Streetball, në tri vitet e fundit nuk pati asnjë disfatë në rrugën drejt triumfit në turneun e Ferizajit.
Che Bari do të përfaqësojë Ferizajin në Superfinalen e 7 gushtit, që sivjet do të jetë nikoqir i përballjes së tetë ekipeve më të mira.
Enkas për këtë organizim, Kuvendi Komunal i Ferizajt e ka rregulluar fushën e improvizuar në plato, para ndërtesës së Kuvendit Komunal në mënyrë që streetballistat të kenë kushtet maksimale për lojë.
Pas organizimit të Streetball Kosova International 2016, garës së parë ndërkombëtare të organizuar zyrtarisht në Kosovë dhe të pranuar nga FIBA 3x3, Shoqata e Streetballit të Kosovës, të shtunën nisi karvanin e zakonshëm të Streetballit, duke nisur nga Ferizaji.
11 ekipe u paraqitën në turneun e Ferizajit, 5 në kategorinë amatore dhe 6 atë profesioniste.
Siç e do rendi, garat i nisën streetballistët në kategorinë amatore, duke luajtur secili me secilin në 10 duele.
Në finale, u plasua skuadra pa humbje në këtë fazë, ekipi “Kuqezi”, që rrugës për finale mposhti skuadrat: Spo di, Blla Blla, White Hot dhe Te Luzha.
Kuqezinjtë e përbërë nga Diell Behra, Elvedin Plakiqi, Dimal Thaqi dhe Diar Vrella, në finale u ndeshën me ekipin Blla blla, të cilin e mposhten 21:11 dhe fituan turneun e Ferizajit në kategorinë amatore. Njëherësh ekipi Kuqezi, fitoi të drejtën ta përfaqësojë Ferizajin në Superfinalen që zhvillohet më 7 gusht.
Ndërkohë, radha ishte për garat e konkurrencës profesioniste, me 6 skuadra pjesëmarrëse të ndara në dy grupe.
Pas ndeshjeve mjaft interesante në grupe dhe në gjysmëfinale, turneu i Ferizajit mësoi dy finalistët, Che Barin, që nuk kishte asnjë humbje dhe ekipin 123 nga Ferizaji, që në grupe ishte ndeshur dhe kishte pësuar nga ekipi me streetballistët prishtinas.
Në finalen e profesionistëve, Juniku e Matoshi që ende janë basketbollistë aktivë, duke pasur edhe ndihmën e trajnerit Fikret Shatri dhe Adonis Morinës, fituan edhe më lehtë se në ndeshjen e parë me rezultatin 20-8.
Limak Streetball Kosova 2016, do të vazhdojë menjëherë të dielën më 17 korrik, me turneun kualifikues të Prizrenit.
Teksti: Streetball Kosova