RIVALI I SOTËM I KOSOVËS

Reprezentacioni i Estonisë, rivali i sotëm i Kosovës/ Foto: fiba.com
Çka duhet ditur para ndeshjes Estonia-Kosova?
9 August, 2017 @8:37
Sot Kosova do të zhvillojë ndeshjen e dytë para-kualifikuese për Kupën e Botës Kina 2019 në Talin, ndaj Estonisë.
Kosova, Estonia dhe Maqedonia janë tre vendet që garojnë në Grupin C parakualifikues për të siguruar dy vendet e para, që çojnë në grupet kualifikuese, të cilat luhen në nëntor të këtij viti, ndërsa kundërshtarët tjerë në këto grupe do të përcaktohen nga pjesëmarrësit e Eurobasket 2017, që mbahet në shtator.
Miqësoret e vitit të kaluar
Edhe Kosova edhe Estonia kanë shënuar nga një fitore në grup, duke e mposhtur Maqedoninë.
Vitin e kaluar, Estonia ka qenë sparing partneri i parë i Kosovës para ndeshjeve kualifikuese për Eurobasket 2017, duke zhvilluar dy miqësore me Kosovën në Talin.
Të dyja ndeshjet i kishte fituar Estonia. Të parën, estonezët e fituan me rezultat 76-67 (kliko në rezultat për të lexuar raportin e asaj ndeshjeje dhe statistikat), ndërsa ndeshjen e dytë 74-64 (kliko në rezultat për të lexuar raportin e asaj ndeshjeje dhe statistikat).
SHIKO: Orarin e ndeshjeve dhe TABELAT
Lojtarët kryesorë
Në këto kualifikime, te Estonia po dallohen tre basketbollistë, të cilët po bartin barrën kryesore të skuadrës.
Rain Veideman është koshashënues tepër i mirë i skuadrës dhe është lider i padiskutueshëm kur vjen te puna për të shutuar për tre pikë dhe për të vendosur ndeshjen. 25 vjeçari luan në Udine të Italisë dhe është 192 centimetra i gjatë.
Ndërsa, Kristjan Kangur është njeriu që thotë fjalën kryesore nën kosh. Kangur është lojtari që shënon dhe kërcen, një alo-qendër cilësore dhe me përvojë (34 vjeçar) me gjatësi 203 centimetra dhe luan te Varese në Itali.
SHIKO: Orari i ndeshjeve dhe TABELA
E Sten Sokk është një play shënues dhe mjaft i lëvizshëm. Ai asiston dhe shënon, ndërsa është edhe orkestruesi i lojës estoneze. Luan në Kalev të Estonisë ndërsa me 28 vjetët dhe 185 centimetrat e tij, ai ka shënuar 5 kërcime e 5 asistime në përballjen ndaj Maqedonisë duke shtuar edhe 8 pikë.
Kjo e sotmja, do të jetë përballja e parë e ekipeve në ndeshje zyrtare kualifikuese, ndërsa njëra nga to do të pësojë humbjen e parë.
Pas kësaj ndeshjeje Kosova do të udhëtojë për ndeshjen e kthimit ndaj Maqedonisë në Shkup më 12 gusht, ndërsa në duelin e fundit të grupit pret Estoninë më 19 gusht në Prishtinë.