FINALJA
Cleveland Cavaliers, kampioni i ri i NBA
20 June, 2016 @4:46
Pas 7 ndeshjeve finale, kampioni i ri i NBA-së është shpallur Cleveland Cavaliers, të cilët këtë titull e sjellin në Ohio për herë të parë në histori.
Me serinë që ishte e barazuar në 3-3, gjithçka u vendos në ndeshjen e shtatë, ku edhe pse kishin përparësinë e terrenit, Warriors u mposhtën nga Cavaliers, të cilët nën udhëheqjen e dyshes James-Irving, arritën fitoren e madhe dhe për herë të parë në histori e fituan titullin edhe pse ishin në disavantazh 1-3 pas 4 ndeshjeve të para.
Ndeshja ishte gjatë gjithë kohës e barabartë, mirëpo në çastet vendimtare të takimit më të vëmendshëm u treguan mysafirët, të cilët arritën ta shkruajnë historinë me një përmbysje fenomenale të serisë.
Më i dalluari në këtë takim për kampionin e ri të NBA ishte LeBron James, i cili shënoi Triple-Double, me 26 pikë, 11 kërcime dhe 10 asistime. Ky ishte Triple-Double i parë në një ndeshje të shtatë të serisë finale që nga viti 1988, ndërkohë ishte hera e 16 që LeBron James realizon Triple-Double në playoff, 7 prej tyre i ka realizuar nëpër finale. Këto statistika dhe statistikat e tjera impresionuese nga 6 ndeshjet e para bënë që James të shpallet MVP i serisë finale të NBA.
Paraqitje fenomenale për Cavaliers pati edhe Kyrie Irving me 26 pikë, 6 kërcime dhe 1 asistim, ndërsa Kevin Love shtoi 9 pikë e 14 kërcime.
Në anën tjetër më i dalluari ishte Draymond Green me 32 pikë, 11 kërcime e 9 asistime, ndërsa MVP i sezonit të rregullt, Steph Curry, pati vetëm 17 pikë, 5 kërcime e 2 asistime, mirëpo kjo ishte e pamjaftueshme që Warriors ta fitonin titullin e dytë radhazi.