NGA INTERVISTA
Constantinides: Shima dhe Hysenagolli, jo 100 por 1000% profesionistë
22 August, 2017 @12:29
Pasi që dha dorëheqje nga detyra e selektorit të Shqipërisë, Antonis Constantinides, ka bërë të ditur për mediat tiranase se dyshja Gerti Shima dhe Endrit Hysenagolli janë më tepër se profesionistë për kuqezinjtë.
Në pyetjen e Top Channel se si do të largohet nga Shqipëria, me kujtime të mira apo të këqija, Constantinides është përgjigjur kështu:
“Jo, jo, largohem me mendime shumë të mira, basketbolli është thjesht një sport, nuk mund të fitosh përballë skuadrave më të mëdha se ti. Do të ndihem shumë mirë që të dëgjoj emrat e rinj si Strazimiri apo Shestani që të bëhen basketbollistë akoma më të mirë. Nuk mund të jem një trajner i mirë që ta mbyll këtë aventurë pa falënderuar dy sportistët e mi shumë të mirë, Gerti Shima dhe Endrit Hysenagolli, të cilët janë treguar profesionist jo 100%, por 1000% si vitin e shkuar ashtu edhe këtë vit dhe më kanë ndihmuar shumë që të qëndroj këtu dy vite dhe të përballoj lloj-lloj problemesh,” ka thënë trajneri qipriot.
Shqipëria nuk arriti të kalojë fazën parakualifikuese për Kupën e Botës Kina 2019, duke u mposhtur në të 6 ndeshjet që i zhvilloi.
Mirëpo, humbja e fundit si vendas nga Holanda me rezultat poshtërues 37-113 ka vluar kupën e durimit. Përndryshe paraqitja e Shqipërisë në Holandë ka qenë shumë e mirë, pasi që u mposht me luftë të vërtetë në fushë, 91-77.