Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

PRIZRENI'16 - BASHKIMI

Courtney Fells shpërthen, Prizreni ia bën 3-0 Bashkimit

Courtney Fells shpërthen, Prizreni ia bën 3-0 Bashkimit


18 February, 2022 @21:09

Pas një loje të jashtëzakonshme të treguar në pjesë të dytë, Prizreni’16 ka arritur të shënojë fitore ndaj Bashkimit dhe atë për herë të tretë këtë stinor, pasi që fituan ndeshjen 78-73 [22-14, 9-23, 21-22, 26-14].

Njeriu special në këtë ndeshje ka qenë Courtney Fells, që pas qetësisë në pjesë të parë, ka shpërthyer në pjesë të dytë, ndërsa ka përfunduar ndeshjen me 30 pikë të shënuara prej të cilave 6 treshe, me shut 6/11 për tri pikë, kurse në llogari të tij shtoi edhe 11 kërcime e 6 asistime, 5 topa të rrëmbyer dhe 2 bllokada!

E tërë pesëshja e parë e ekipit të Arbnor Rifatit ka shënuar pikë dyshifrore, ndërsa pos Fellsit me double-double ndeshjen e kanë përfunduar edhe Robert McCoy (12 pikë, 12 kërcimë) e Urim Zenelaj (10 pikë, 10 kërcime).

Më së shumti asistime bëri Arti Hajdari, pasi që bëri 7 sosh në ndeshje, derisa shtoi 12 pikë.

TABELA AKTUALE

Bashkimi që luajti shkëlqyeshëm në cerek të dytë të ndeshjes, nuk arriti ta përsërisë mbrojtjen e njëjtë edhe në pjesë të dytë të ndeshjes. Portokallezinjtë kishin marrë cerekun e dytë me 9-23 për të mbyllur pjesën e parë në epërsi, ndërsa pas cerekut të tretë thuajse të barabartë, ata ranë në të fundit për të humbur ndeshjen!

Te ekipi i drejtuar nga Branimir Pavic më efikasit kanë qenë Valon Bunjaku e Corey Ross. Prizrenasi kreu lojën me 19 pikë e 7 asistime, ndërsa amerikani me 19 pikë, 6 asistime e 8 kërcime.

Qendra që bëri bujë në Finlal 8, John Florveus luajti me 17 pikë e 6 kërcime, kurse 11 pikët nga banka të kapitenit Qëndrim Biraj, prej të cilave tri treshe, nuk mjaftuan për Bashkimin.

E vetmja ndeshje këtë stinor ku Bashkimi e ka fituar Prizrenin 16 ka qenë ajo e Final 8 të Kupës, derisa në Superligë Prizreni’16 ka fituar avantazhin 3-0.

Me këtë ndeshje të fituar Prizreni’16 bën bilancin 12-6 dhe ka dy ndeshje mangu nga të tjerët, që po udhëheqin në renditje, kurse Bashkimi ka bilanc 8-12!


 
Të gjitha lajmet nga FBK Superliga