TRAJNERI I REPREZENTACIONIT TË KOSOVËS
Damir Mulaomerovic merr edhe Prishtinën
4 October, 2018 @14:26
Selektori i reprezentacionit të Kosovës në basketboll, Damir Mulaomerovic, tashmë është zyrtarisht edhe trajner i Prishtinës.
Lajmi që përfolej këto ditë, u zyrtarizua nga bardhekaltërit sot, ndërsa Mulaomerovic ka pranuar të drejtojë Prishtinën për shkak të sfidave të ekipit në FIBA Europe Cup, ku bardhekaltërit do të kërkojnë kualifikimin e parë prej raundit të parë grupor, në të dytin (gjë të cilën nuk e kanë arritur në dy edicionet e mëparme).
Prishtina ka shkruar “mirësevjen në shtëpinë e kampionëve” për trajnerin e ri të saj, që ka pasur karrierë të hatshme si lojtar në Evropë, pasi në kohën e tij ka qenë pjesë e ekipeve të mëdha si Cibona, Real Madrid, PAOK e Efes Pilsen, ndër të tjera.
Kjo do të jetë përvoja e radhës ekipore për Mulaomerovicin si trajner. Ai më parë ka drejtuar ekipin e Tuzlës nga Bosnja, Sloboda Dita. Pas saj ka qenë trajner i Cibonës dhe Prishtina do të jetë përvoja më e re për te.
Boshnjaku që ka reprezentauar Kroacinë si lojtar, ka qenë edhe trajner i Bosnjes e Hercegovinës, dhe aktualisht mban edhe postin e trajnerit të Kosovës në basketboll, ku ka debutuar me humbje ndaj Maqedonisë në parakualifikime për Eurobasket 2021.