MATTHIAS ZOLLNER
Pranë shkarkimit!!!
3 October, 2018 @14:35
Nënkampionja e Kosovës, KB Prishtina, është pranë shkarkimit të trajnerit gjerman të ekipit, Matthias Zollner.
Burimet jo zyrtare pranë klubit të Prishtinës bëjnë të ditur se ekipi është duke shikuar trajner të ri dhe është çështje kohësh shkarkimi i Zollnerit.
Prishtina është eliminuar nga Liga e Kampionëve të basketbollit në raundin e parë kualifikues, pasi që përkundër se mposhti Donar Groningenin me 20 diferencë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, si mysafir u mposht me 25 pikë diferencë - që i eliminoi.
Përveç kësaj, është vërejtur edhe një humbje kontrolli në raportin lojtarë-trajner në ekip, pasi që kishte edhe një grindje ndërmjet lojtarëve bardhekaltër në gjysmë të ndeshjes ndaj Groningenit në Holandë.
Përndryshe, Zollner ka fituar Superkupën e Kosovës me Prishtinën duke mposhtur Bashkimin para fillimit të stinorit, ndërsa më pas, në Superligë ka shënuar fitore në të dyja ndeshjet e para.
Në ndërkohë pritet të vërtetohet nëse këto spekulime janë të vërteta, para se bardhekaltërit të kuptojnë kundërshtarët e radhës në FIBA Europe Cup 2018/19 si dhe fillimit të ndeshjeve në ligën ballkanike.