FBK

Depononi kontratat
25 January, 2013 @10:42
Në mbledhjen e Bordit të FBK-së të mbajtur dje përveç tjerash është diskutuar edhe për deponimin e kontratave nga klubet për lojtarët vendorë, të huaj dhe trajnerët.
“Dukuria e mos deponimit të kontratave nga klubet në FBK, rrezikon prishjen e marrëveshjes me FIBA-në në lidhje me transferet ndërkombëtare të lojtarëve të nënshkruar kohë më parë. Mos deponimi i kontratave bën të pa fuqishëm FBK-në në mbrojtjen e interesave të klubeve - lojtarëve. Klubet që nuk respektojnë këtë vendim, llogariten si klube amatore dhe lojtarët - trajnerët nuk do të kenë mundësinë e ndërrim - kalimiit nga klubi në klub në çdo kohë që iu ofrohet,” është shkruar në vendimin e FBK-së të lëshuar dje në faqen zyrtare të saj.
E ky vendim do të mund të moslejojë transferimin e amerikanit Brandon Roberson në RTV 21.
Roberson është i suspenduar nga klubi i tij, Ibar nga Rozhaja dhe nuk ka të drejtë angazhimi askund. Klubi i tij i ka dërguar letër FIBA-së ku njofton për respektimin e marrëveshjes me lojtarin amerikan, Roberson. Ndërsa ky i fundit, sipas Faruk Kalic, menaxherit të klubit nga Rozhaja, ka lëshuar klubin pa njoftim paraprak.
Në anën tjetër edhe lojtari është ankuar duke thënë “nuk jam sllav i askujt”.
Brendan Roberson është koshashënuesi më i mirë i ligës malazeze në stinorin vjeshtor me 21.7 pikë për ndeshje. RTV 21 në të njejtën mënyrë ka humbur basketbollistin më të mirë të saj Alexander Joshua, pasi që ky përkundër se kishte kontratë me klubin kosovar është larguar për në ligën izraelite të basketbollit, por FBK-ja nuk mund të reagojë pasi që RTV 21 nuk kishte deponuar kontratën e lojtarit në Federatë.