NË PEJË
Derbi i femrave, këtë fundjavë
Teksti: FBK
8 April, 2016 @13:33
Xhiroja e XXI e Ligës së Femrave, e fundit për edicionin e rregullt karakterizohet me derbin që do të zhvillohet të shtunën në “Karagaçi” të Pejës duke filluar nga ora 19:30, ku Penza e pret Prishtinën.
Në ndeshjen e luajtur në stinorin vjeshtor, pejanet i patën mposhtur prishtinaset me rezultat 80:67.
Penza është lidere në renditjen tabelare, ndërsa Prishtina është e dyta. Pejanet në këtë edicion e kanë fituar trofeun e Ipko Kupës së Kosovës duke i mposhtur pikërisht prishtinaset në finale. Ndërkaq këto të fundit janë kampione në fuqi të Kosovës.
Në “Karagaçi” pritet të zhvillohet një ndeshje interesante dhe me rivalitet të theksuar, ku në njërën anë Irma Konjusha do të udhëheq Penzën, kurse në anën tjetër Arbnore Perquku do të dirigjoj lojën e Prishtinës.
Duhet theksuar se Prishtina dhe Penza, së bashku me Bashkimin nga Prizreni janë skuadrat më të trofeshme në basketbollin femëror në Kosovë që nga paslufta.