MPOSHTEN NGA MIAMI
Chicagos i duhet mrekullia
8 April, 2016 @9:48
Mundi i Jimmy Butlerit shkoi huq. Chicago Bulls nuk arriti të shënojë fitore ndaj Miami Heatit mbrëmë në American Airlines Arena dhe tashmë vetëm mrekullia mund t’ua shpëtojë stinorin atyre.
Butler shënoi 25 pikë e 6 asistime, ndërsa qendra Pau Gasol ndihmoi me double-double prej 21 pikëve dhe 12 kërcimeve, që në fund dolën të kota për ekipin e demave që në fund u mposhtën me 8 pikë epërsi nga Miami Heat.
Dwyane Wade dukej i vendosur që nga fillimi i ndeshjes për t’ia çuar dëm stinorin Chicagos. Wade hyri në lojë me plot dëshirë për fitore dhe këtë e arriti në fund.
“Në këtë kohë të stinorit, ne jemi ekip. Më parë nuk ka qenë kështu. Tash jemi bashkë,” ka thënë Wade pas ndeshjes që e përfundoi me 21 pikë të shënuara.
Goran Dragic e Hassan Whiteside përfunduan ndeshjen me nga 16 pikë e 12 kërcime, secili, ndërsa Miami ka shënuar një arritje karakteristike, duke shënuar në 14 ndeshje me radhë mbi 100 pikë këtë stinor.
Chicago Bulls nuk ka munguar në Play-Off që nga stinori 2007/08. Nëse mrekullia nuk i shpëton ata, kjo do të jetë hera e pas pas 8 viteve që nuk do të jenë në 16 ekipet më të mira të stinorit në NBA.
“Kemi edhe tre ndeshje,” ka thënë Derrick Rose i Bullsave pas humbjes, duke bërë të ditur që derisa ka lojë, mundësi teorike, gjithçka është e mundshme.
Bulls është duke luftuar me Indianën e Detroitin për dy vendet e mbetura nga Konferenca Lindore për Play-Off. Por dy skuadrat tjera duhet t’i humbin të gjitha ndeshjet e mbetura, e Bulls t’i fitojë, që këta ta arrijnë Play-Offin.
Përndryshe, stinori përfundon për ish kampionin.