Të gjitha lajmet
Tabelat dhe Rezultatet

EKSKLUZIVE

Derbi iberik Realit, derbi ortodoks grekëve

REUTERS/Susanne Plunkett

Derbi iberik Realit, derbi ortodoks grekëve


11 May, 2013 @14:06

Ekskluzivisht për Borozani.com shkruan: Blerim Myftiu
Juan Carlos Navarro duke depërtuar në mes të madrilenëve/ REUTERS/ Susanne Plunkett
Juan Carlos Navarro duke depërtuar në mes të madrilenëve/ REUTERS/ Susanne Plunkett

Plot kthesa me lojën që shkonte herë në njërën, herë në tjetrën anë, shëtitjet e shpejta të topit nga një fundor në tjetrin me depërtimet e tyre vdekjeprurëse, si edhe përqendrimi më i madh i mbretërve në çastet vendimtare, kontribuar nga rehatia e katalonasve mund të jetë përshkrimi i shkurtër i “el-clásico”-s që këtë herë në skenë u vu në parketin basketbollistik.

Salloni gjigant me 20 mijë ulëse në Londër (O2 Arena), që verën e kaluar ishte skenë e mposhtjes së spanjollëve nga amerikanët në finalen e turneut basketbollistik të Lojërave Olimpike Verore, sonte ishte arenë e përplasjes së gjigantëve spanjollë, rivaliteti i të cilëve nuk kufizohet, edhe pse është më i popullarizuar, vetëm me futbollin. 

Sa i përket trofeve, analogjitë janë të ngjashme me futbollin. Reali është po ashtu ekipi më i trofeshëm në “Ligën basketbollistike të kampionëve”, me gjithsej 8 tituj; shumica të fituar në vitet 60-të dhe 70-të, me atë të fundit më 1985. Kundër Barcelonës, që është paksa më dominuese në erën moderne, me dy tituj të fituar në mileniumin e ri (2003 dhe 2010).

Vendimtare në fitoren e Realit ndaj rivalit të tij të përjetshëm dhe të përbetuar doli të jetë fillimi i rrufeshëm i çerekut të katërt, kur Reali arriti ta anulonte minusin prej 9 pikësh (52-61) dhe me serinë prej 15-2 ta shpinte rezultatin në 67-63, diçka 3 minuta para përfundimit të takimit. Në 7 minutat e fundit të ndeshjes, Barcelona arriti të shënonte vetëm 6 pikë, me të cilën realisht nuk kishte gjasa të depërtonte në finale.

Kapiteni dhe veterani i madrilenëve, Felipe Reyes, kontribuoi më së tepërmi në rikthimin e mbretërve, duke qenë në fund të ndeshjes më efikasi me 17 pikë, edhe pse shikuar ndeshjen në përgjithësi, nuk ra aq në sy sa treshja fantastike e fundorëve, e udhëhequr me “mjekrën” Sergio Rodriguez, që krahas 12 pikëve të shënuar, mbresë më të madhe la me organizimin logjik të sulmeve dhe 9 asistimet e bëra. 

Ante Tomic, ylli kroat në ngritje, i përzgjedhuri sivjet në pesëshen më të mirë të Euroligës dhe i transferuari në fillim të stinorit nga Reali pikërisht në Barcelonë, ishte forca shtysë e blaugranëve në çerekun e parë, i cili u përmbyll me epërsinë 18-11 në favor të Barcelonës. Mirëpo, ai u ndalë plotësisht në çerekun e fundit duke mos shënuar asnjë pikë dhe duke mbetur në 18 sosh që i kishte shënuar në tre çerekët e parë. Vetëm Marcelihno Huertas ishte më efikas se ai në radhët e Barcelonës, me një pikë më shumë të shënuar.

Çereku i dytë i takoi Realit, kur nga gjumi u zgjuan Sergio Llull me tre treshe rresht dhe i lartpërmenduri Rodrigues që kontribuuan në përmbylljen e gjysmëlojës së parë me 39-33 në epërsi. Marcelinho Huertas në çerekun e tretë hyri në rend për shënimin e tresheve, i ndihmuar nga pikët e Lorbekut dhe të Tomicit, për 48-51 në fund të çerekut të tretë.

 

As Mesina nuk bën punë

Ekipi rus i ëndrrave zhgënjeu për të dytën herë rresht (nëse kualifikimi në final-four nuk konsiderohet sukses!). Atë që vjet nuk arriti ta bënte nën drejtimin jashtë parketit të strategut lituan, Kazlauskas, dhe brenda parketit të Kirilenkos, nuk arriti ta bënte as sivjet nën drejtimin e Ettore Mesinas (me 4 trofe të Evroligës) – fitimi i trofeut, të shtatit gjithsej. Pengesa ishte e njëjtë. Kampioni aktual i Evropës, që vjet befasoi, u doli sërish në rrugë rusëve. Këtë herë, grekët dolën më lehtë në krye duke mposhtur me plot 17 pikë diferencë. Dështuan më së tepërmi serbët, Krstic (vetëm 2 pikë) dhe Teodosic (vetëm 5 pikë). Mbrojtja e fortë që u lejoi moskovitëve vetëm 52 pikë ishte vendimtarja për finalen e radhës së “olimpikëve”.

 

 

 

Autsajderi sërish apo mbretërit e fjetur?

Olympiacosi vjet ishte autsajderi total i turneut final, megjithatë kishte arritur që ta mposhtte Barcelonën dhe CSKA-në në rrugën drejt stolisjes me titullin e dytë evropian. Me kualifikimin dy herë rresht në finale, tanimë nuk mund të bëhet fjalë për rastësi, por me diçka më të organizuar. Dusan Ivkovic kishte arritur që të kompozonte një ekip të rinjsh, që nën udhëheqjen e mjeshtrit të shportave basketbollistike dhe MVP-në e sivjetmë të Euroligës, Vasilis Spanoulis, kishte arritur në kulmin e Evropës. Me largimin e Ivkovicit në fillim të këtij sezoni, ishte parashtruar me vend, pyetja nëse athinasit do të mund ta vazhdonin rrugën e suksesit. Dhe, pasardhësi, Georgios Bartzokas, arriti të dëshmonte se ky ekip të rinjsh ishte i talentuar, i përqendruar dhe i zhdërvjelltë sa që suksesi i tij nuk varej nga ai që qëndronte në stol. Po qe se të dielën mbrëma, grekët ngrihen sërish në kulmin e Olimpit, do të jenë ekipi i parë që pas Maccabit (2004 dhe 2005) fiton rresht dy herë titullin e më të mirit në Evropë.

Pablo Laso humbi shumë në fillim të stinorit me largimin e Ante Tomicit në drejtim të rivalit të përbetuar. Zëvendësimi me Slaughterin solli atë që ndoshta, sipas shumë ekspertëve të basketbollit, i mungonte ekipit mbretëror – rotacionin dhe angazhimin në mbrojtje. Vija fundore e shkathtë, energjike, dhe precize e karakterizonte lojën e shpejtë në sulm të Realit. Kombinimi i sivjetmë me angazhim më maksimal në mbrojtje ndikoi që Reali të ishte ekipi më efikas në Euroligë me mesatarisht 79 pikë të shënuara për ndeshje.

Salla londineze “O2 Arena”, e cila prej 2008-s është salla më e frekuentuar e botës që prej 2008-s me mesatarisht 2 milionë bileta të shitura brenda një viti për lloj-lloj organizimesh sportive dhe argëtuese, do të jetë vendi ku do të mësohet kampioni i 57-të i Evropës në basketboll. Finalja e madhe dhe ndeshja e fundit e Euroligës së sivjetme ndërmjet Realit dhe Olympiacosit luhet të dielën dhe fillon në orën 21. Mbetet të shihet nëse “sirtaki” do të bartet nga Stambolli në Londër, apo kjo e fundit do të jehojë me flamengo.


 
Të gjitha lajmet nga Euroleague