SUPERLIGA, SONTE
Derbi, takohen më të mirët e stinorit të rregullt
12 March, 2022 @8:52
Sonte pos ndeshjes Prishtina - Drita që nis në ora 17:00 dhe luhet në kuadër të xhiros së XXII të Superligës, zhvillohet edhe ndeshja e madhe e stinorit të rregullt në mes të Yllit dhe Trepçës.
Dy skuadrat me lojë më stabile përgjatë gjithë stinorit që edhe më të drejtë janë në luftë për kreun dhe dyshen e skuadrave që fiton biletën direkte për gjysmëfinale të PlayOffit.
Ndeshja luhet me fillim prej orës 19:00 në 13 qershori të Suharekës, ndërsa Ylli është më bilanc 16-4 para kësaj ndeshjeje, e Trepça është me 14-7.
Dueli i parë, fiton Trepça (1-0)
Duelin e parë mes skuadrave e kishte fituar Trepça, 72-69. Zhvilluar më 15 shtator 2021, mitrovicasit, Drilon Hajrizi 19, Samir Zekiqi 15 dhe Taurus Cockfield me 15 pikë - kishin qenë vendimtarët në këtë fitore të minatorëve. Te Ylli Erjon Kastrati kishte shënuar 14 pikë, ndërsa Brandon Randolph 13 të tjera.
Ylli i pamëshirshëm (1-1)
Dueli i dytë i stinorit të rregullt, fitore bindëse e Yllit. Më 27 tetor 2021, Mikaile Tmusic 21, Ardit Pepaj dhe Cameron Williams me nga 20 secili, më meritorët në fitoren me 23 pikë dallim të suharekasve 91-68. Hajrizi me 19 dhe Amin Hot me 17 pikë s’kishin mjaftuar kësaj radhe për Trepçën.
Ylli përsëri thellë, Ylli 2-1 Trepça
Dueli i tretë i stinorit, 12 janar 2022. Ylli përsëri fiton bindshëm, kësaj radhe në Minatori. Trepça ndalet në 64 pikë, kurse Ylli shënon 84 në këtë fitore ku Tmusic jep 25 pikë, ndërsa Erjoni 21 të tjera. Pikët e Cockfield (15) dhe të Andrew Gordon (13) nuk kishin mjaftuar kësaj radhe për mitrovicasit, derisa Hajrizi u ndalë në 7 pikë.
Renditja me rëndësi në fund të stinorit të rregullt
Kjo ndeshje ka bërë që Ylli të merr epërsinë 2-1 në ndeshjet e ndërsjella ndaj Trepçës. Fitorja e sontme do ta conte Yllin e Adis Beciragicit në 3-1, ndërsa nëse fiton Trepça e Lubomir Minchevit, bilanci i ndërsjellë u bëhet 2-2.
Derisa Ylli pritet që të sigurojë vendin e parë të stinorit të rregullt, gjë të cilën mund ta bëj edhe në gjashtë xhirot e mbetura, për Trepçën nuk mund të thuhet kështu.
Mitrovicasit janë të ndjekur në hap prej Pejës dhe Prizreni’16. Secili gabim në hapa i Trepçës do të mund të ndëshkohet rëndë nga kundërshtarët e saj, vecanërisht për pozitën e dytë në renditje.
Kujtojmë, dy pozitat e para sigurojnë gjysmëfinalen e PlayOffit të Superligës, derisa pozitat 3-4 luajnë çerekfinalen e PlayOffit.