YLLI-RAHOVECI
Derbi Ylli-Rahoveci, një pikë vendosi
7 October, 2017 @21:16
Derbi i vërtetë i skuadrave të përforcuara në mënyrë solide këtë stinor për Superligën e Kosovës, ndërmjet Yllit dhe Rahovecit u zhvillua në Suharekë sonte.
Fitues i takimit doli Rahoveci, që ishte për një pikë më e mirë sesa Ylli, duke fituar në fund 80-81, në një ndeshje krejtësisht të barabartë përgjatë 40 minutave lojë.
ÇEREKËT
Ylli pas fundit të çerekut të parë krijoi 3 pikë epërsi me 17-14 në fillim. Në çerekun e dytë, lojë krejtësisht e barabartë për 24-24 dhe ekipet shkuan në pushim me atë 3 pikësh epërsie të suharekasve për 41-38.
Shkrirja e epërsisë ndodhi në çerekun e tretë, kur Rahoveci pas 30 minutave lojë barazoi rezultatin në 60-60, ndërsa në 10 minutëshin e fundit ekipet u futën “si nga fillimi i ndeshjes”.
3 minuta para fundit të ndeshjes rezultati ishte 75-79 për Rahovecin, kur Junious Prowell shënoi për tre pikë për të dhënë pikët e fundit të vreshtarëve në ndeshje, për 75-81, derisa për fundin e ndeshjes kishin mbetur edhe 2.21 minuta.
Në këto minuta të mbetuar vetëm Mike Harmon arriti të shënojë për Yllin, duke e afruar rezultatin në 80-81, 1.12 minuta para fundit të ndeshjes, prej kur më, nuk u shënua asnjë pikë, derisa ekipet luftuan për çdo top.
Kjo ka qenë fitorja e dytë e Rahovecit në 2 ndeshjet e para të stinorit me trajner Mark Rodiqin, derisa Ylli ka përjetuar humbjen e parë të stinorit me trajner D. Bajramovic.
TË DALLUARIT
Mike Harmon ka qenë më efikasi te Ylli me 22 pikë të shënuara, prej ku ka shutuar 6-3 për tre pikë, me saktësi 50%. Arian Tahiri ka kontribuuar me 18 pikë e 7 asistime, ndërsa Arif Mehmetaj ka shtuar 14 pikë e 4 kërcime. Double-double te Ylli shënoi Teylor Bassick, që kreu ndeshjen me 13 pikë e 10 kërcime.
Sa i përket ekipit fitues, ka qenë Kyle Sovine që ka shkëlqyer te vreshtarët. Ai ka përfunduar ndeshjen me 26 pikë e 13 kërcime, derisa Junious Prowell ka dhënë 23 pikë tjera. Nga forcat vendore te ekipi i Rahovecit Mustafë Merovci ka qenë më efikasi me 13 pikë e 7 kërcime.
DUELET E RADHËS
Në xhiron që vjen, Ylli i shkon në konak Trepçës, ndërsa Rahoveci pret Bashkimin në derbin e radhës, që llogaritet si derbi i xhiros së III të stinorit.
Përndryshe, super-atmosferë sonte në Suharekë, palestra përplotë me publik, anim korrekt - e basketbollistët dhanë edhe atomin e fundit të tyre për më të mirën e ekipeve.