PARA NDESHJES: AKADEMIK-BASHKIMI
BOROZANI/A.P.
Deri në 12 pikë, për Final Four
4 April, 2018 @12:38
Bashkimi e ka të qartë kundërshtarin që e pret në Final Four. Por sonte e ka testin e fundit për të arritur aty dhe ka luksin e humbjes deri në 12 pikë për të qenë pjesë e katërshes më të mirë të stinorit në BIBL.
Pas fitores së shënuar në Sezai Surroi javën e kaluar me 13 pikë epërsi ndaj Akademik Bultexit, Bashkimi sonte është mysafir i ekipit bullgar në Kolodruma ku do të kërkojë përfundimisht Final Fourin.
Te ekipi i Bashkimit nuk është raportuar të ketë ndonjë mungesë sa i përket lojtarëve, ndërsa ekipi ka kryer të gjitha përgatitjet për të qenë sa më e gatshme për ndeshje, që nis sonte prej orës 17:30 me kohën tonë.
Nëse Bashkimi arrin Final Fourin e BIBL, kjo do të jetë hera e parë për ekipin prizrenas që arrin në këtë fazë të garave (gjysmëfinale), ndërsa aty e pret një kundërshtar tjetër bullgar, Rilski Sportist, me të cilin portokallezinjtë kanë dy rezultate negative gjatë stinorit të rregullt.
Sa i përket kundërshtarit të sontëm dhe ndeshjeve me te gjatë stinorit të rregullt, në Prizren Bashkimi kishte fituar me 9 pikë dallim, ndërsa në Bullgari, kishte pësuar humbjen më të thellë të stinorit, me 41 pikë dallim.
E ndeshja e sontme, transmetohet në kanalin e Youtube-it të BIBL dhe sportmedia.tv.