RAHOVECI-PEJA
BOROZANI/ A. P.
Një hap para historisë
2 April, 2018 @19:30
Rahoveci ka bërë edhe hapin e parafundit drejt shkruarjes së historisë së klubit. Vreshtarëve tash krejt që i duhet është edhe një fitore për të siguruar edhe matematikisht Play-Offin e parë në histori të klubit.
Hapi i vetëm që i ka mbetur ekipit, është një fitore nga tre ndeshjet e mbetura - ashtu që ekipi të mos rrezikohet më dhe të largojë nga kombinimi Trepçën.
Sot Rahoveci ka mposhtur Pejën me lojë të mirë të treguar në çerek të dytë të ndeshjes. Derisa në çerekun e parë ndeshja ishte e barabartë, 24-23, në të dytën ekipi i Bujar Locit, ka bërë dallim, 24-14, për të shkuar qetë në pushim.
Në pjesën e dytë, Peja përkundër mundit të madh, nuk ka arritur të përmbys rezultatin, derisa i treti çerek përfundoi 29-25, e i fundit 22-23, për përfundimtaren 99-85.
PERFORMANCAT INDIVIDUALE
Mark Williams ka shkëlqyer me 23 pikë, 11 kërcime, 4 asistime dhe 3 topa të rrëmbyer në ndeshje, derisa Tyler Diehl ka qenë më efikasi me 25 pikë në 33 minuta sa ishte në lojë.
Përndryshe, nga forcat vendore 18 pikë e 6 asistime kanë ardhë nga Muhamed Hasani e 11 pikë e 3 asistime nga Arti Hajdari.
Te Peja, që veç çerekut të dytë, ka qenë rival i barabartë me Rahovecin, 30 pikë i ka shënuar Beqë Kovaçi. Ai në llogarinë e tij ka shtuar edhe 6 kërcime e 2 asistime, ndërsa double-double ka regjistruar Rron Grapci me 16 pikë e 10 kërcime, kurse veterani i ritkthyer në ekip, Valdet Grapci ka shënuar 10 pikë, 5 kërcime e 3 asistime.
BILANCI
Derisa Rahoveci tash ka bilanc 14-11 dhe praktikisht mund të thuhet se është pjesë e Play-Offit, historik për ekipin; në anën tjetër Peja me bilanc 6-19 rrezikon rënien nga elita duke qenë pjesë e zonës Play-Out aktualisht.