LIGA E ADRITATIKUT - ABA LEAGUE

Foto: BuducnostVoli/aba-liga.com
Doellman me Buducnostin arrin finalen historike
1 April, 2018 @21:25
Amerikani që ka luajtur për reprezentacionin e Kosovës, Justin Doellman, ka arritur që me ekipin e tij Buducnost të plasohet në finale të ABA Ligës në basketboll.
Buducnost ka mposhtur Cedevitën në ndeshjen vendimtare për të arritur finalen, 72-57, me lojë të mirë në çerekun e fundit, 27-11, derisa në tërësi ndeshja ka shkuar barabartë, ku kroatët në pjesë të madhe të ndeshjes kanë pasur epërsi 5-7 pikëshe.
Doellman ka luajtur 25 minuta në këtë ndeshje, ndërsa ka përfunduar atë me indeks efiçence 13, duke shënuar 8 pikë, 2 asistime, 1 kërcim dhe 1 top të rrëmbyer.
Kjo është hera e parë që Buducnost i Podgoricës arrin finalen e kësaj lige, ku marrin pjesë ekipet e ish-Jugosllavisë kryesisht.
Finalisti tjetër i ABA Ligës do të përcaktohet nga dueli vendimtar i ndeshje gjysmëfinale ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Mornarit.