BASHKIMI-YLLI

E njëzeta për Bashkimin
1 April, 2018 @19:11
Bashkimi duke e mposhtur Yllin, ka arritur që të shënojë fitoren e njëzetë të stinorit nga 25 ndeshje në Superligë deri tash.
Fitorja e Bashkimit ka ardhë falë lojës së mirë të ekipit prizrenas në çerek të dytë, kur krijuan avantazh të madh ndaj Yllit, 21-7. Ky rezultat bëri që ekipet të shkojnë në pushim me 47-31.
Edhepse në çerek të tretë Ylli ishte më i mirë, 15-25, në atë të fundit Bashkimi nuk lejoi befasi duke e marrë 21-17, për përfundimtaren 84-73.
Më efikasi te Bashkimi sonte ka qenë Vincent Zollo me 18 pikë e 9 kërcime. Lojë të mirë ka bërë edhe Mikaile Tmusic, duke shënuar 17 pikë e 5 kërcime, ndërsa Aaron Moss ka shtuar 11 pikë, 5 asistime dhe 8 kërcime e Altin Morina 10 pikë, 7 asitime e 6 kërcime.
E veçantë ka qenë performanca e kapitenit Qëndrim Biraj, që ka shutuar 5 herë për tre pikë dhe ka shënuar 4, për të përfunduar ndeshjen me 12 pikë.
Te Ylli, te të cilët debutoi kameruansi Alexis Wangmene, ka qenë pikërisht ai që ka pasur performancë më të mirë. Wangmene përfundoi ndeshjen me 19 pikë e 10 kërcime.
19 pikë shënoi edhe Mike Harmon, duke shtuar edhe 8 asistime në llogari të tij, ndërsa Leonard Mekaj përfundoi ndeshjen me 16 pikë, 6 asistime e 7 kërcime, e Artin Gashi me 12 pikë e 9 kërcime.
Bashkimi tash ka bilanc 20-5, ndërsa Ylli 14-11.