PARA NDESHJES: LEVSKI-TIRANA
BOROZANI/A.P.
Sonte Tirana në duelin vendimtar
3 April, 2018 @12:10
Basketbollistët e Tiranës sot luajnë ndeshjen vendimtare të tyre në kuadër të BIBL. Bardhekaltërit nga kryeqyteti i Shqipërisë janë mysafir të Levskit në Sofje, ndërsa që nga dje janë të vendosur në hotelin Tsarsko Selo, ku po bëjnë përgatitjet e fundit para ndeshjes.
Levski, ka fituar ndeshjen e parë të zhvilluar në Tiranë javën e kaluar me gjashtë pikë dallim dhe atë që duhet të bëjnë tiranasit sonte, është fitorja me shtatë ose më shumë pikë për të siguruar Final Fourin e garës.
Duke pasur parasysh që Levski ka luajtur edhe një ndeshje mbrëmë në kuadër të ligës së Bullgarisë, Tirana mund do të mund të shfrytëzojë lodhjen e disa lojtarëve vendas për të shënuar fitore dhe për të arritur Final Fourin e parë në histori të klubit në këtë garë.
Në duelin e parë të zhvilluar në Feti Borova të Tiranës, bardhekaltërit kishin pasur paraqitje shumë të mirë në pjesë të parë të ndeshjes, mirëpo nuk arritën fitoren në fund, pasi që ekipi bullgar luajti shumë mirë në pjesë të dytë, për përfundimtaren, 67-73.
Ndeshja Levski - Tirana zhvillohet sonte me fillim nga ora 18:30 me kohën lokale të Sofjes, që është një orë para orës sonë lokale.
Takimi transmetohet në spormedia.tv dhe kanalin e YouTube të BIBL-it.