EKSKLUZIVE

Dështon Coles, vjen Tankelewicz
24 September, 2014 @0:06
Përforcimi i fundit i skuadrës së Bashkimit, që ishte paralajmëruar vetëm pak çaste para se të mbyllet afati kalimtar, Julius Coles, nuk do të vijë fare në Kosovë.
Marrëveshja me ish lojtarin e Lirisë së Shkupit ka dështuar dhe drejtuesit e klubit prizrenas menjëherë kanë reaguar duke arritur marrëveshje me një tjetër basketbollist të huaj. E ai është amerikani 23 vjeçar, Tom Tankelewicz, që vjen nga skuadra Western Carolina University i ligës NCAA1 të SHBA-së.
Sipas burimeve të Borozani.com, Tankelewicz pritet të arrijë të mërkurën mbrëma në Prizren, ndërsa të enjtën pritet të dalë për herë të parë në stërvitje me ekipin e portokalltë.
Basketbollisti 193 centimetra i gjatë, ka qenë bashklojtarë me basketbollistë të cilët më parë kanë luajtur në Kosovë si, Harouna Mutombo i Pejës dhe Keaton Cole i Trepçës, ndërsa në stinorin e fundit ka pasur mesatare prej 9.8 pikëve dhe 2.1 kërcimeve në 30 ndeshje të zhvilluara në NCAA1.
Bashkimi, skuadrën e saj më parë e kishte përforcuar me basketbollistët e huaj Boban Medenica, Dragomir Marojevic dhe Spencer Dixon.
Video