FISNIK RUGOVA
Do të dalim të pamposhtur
11 May, 2016 @20:26
Peja fitoi përballjen e parë ndaj Prishtinës në mënyrë dramatike. Këtë e kanë të qartë edhe basketbollistët e ekipit verdhezi, ndërsa Fisnik Rugova, njëri ndër basketbollistët që është në formë të mirë te ekipi pejan, ka thënë se ekipi i tij do të dalë i pamposhtur nga ndeshja e dytë nëse e aplikon lojën e vetë.
“Besoj se mund t’ia dalim në Prishtinë. Do të japim maksimumin që të shënojmë fitore edhe pse do të jetë shumë vështirë. Pikat tona të forta janë, loja ekipore, si në ndeshjen e parë dhe mbrojtja e fortë. Besoj se do të jetë një ndeshje shumë e fortë, ashtu si i ka hije finales, ndërsa ne do të aplikojmë lojën tonë dhe besoj se do të dalim të pamposhtur,” ka thënë Fisnik Rugova për faqen zyrtare të FBK-së sot.
Peja fitoi përballjen e parë 77-76 dhe ka epërsinë 1-0 në seri. Kampion bëhet ekipi që arrin 3 fitore së pari, ndërsa seria zhvillohet në sistemin vajtje-ardhje nga një ndeshje derisa një ekip të arrij fitoren e tretë.